Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka thënë se ka filluar procesin e verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura në peticionin e organizuar në katër komunat në Veri.
Ai ka shtuar se ky proces do të marrë kohë, pasi të dhënat janë mbledhur në format fizik.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar procesin e verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura në peticionin e organizuar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. KQZ, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të verifikojë këto lista me nënshkrime, pra nëse personat që kanë nënshkruar janë qytetarë me të drejtë vote në komunën përkatëse. Sigurisht se ky proces do të na marrë kohë pasi të dhënat që i kemi pranuar janë të mbledhura në format fizik, andaj nuk mund të jap ndonjë datë të saktë, por pas përfundimit të tij, do të njoftojmë Ministrinë, Kryesuesit e Kuvendeve Komunale, Kryetarët e Komunave dhe Grupet Nismëtare. Natyrisht se përgjigja e KQZ-së do të bëhet edhe publike”, ka thënë Elezi.