Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se kanë diskutuar gjatë mbi progresin e marrëdhënieve mes dy shteteve me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.
Lajçak deklaroi kështu për media pas përfundimit të takimit, duke shtuar se s’është bërë progres i madh vitin e kaluar në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve. Ai ka përkujtuar se BE’ja do t’i mbajë zgjedhjet parlamentare në qershor dhe ato presidenciale gjatë këtij viti, andaj pret rezultat nga Kosova dhe Serbia deri atëherë, para se të fillojnë zgjedhjet në BE.
“Ka pasur pak progres në tablonë e madhe, në procesin e normalizimit. Ne nuk duhet të pyesim veten se si t’ia bëjmë , pyetja është kur. Nëse më pyesin mua, pa vonesë, sa më shpejt të jetë e mundur. Ne patëm një diskutim të gjatë me kryeministrin Kurti dhe z. Bislimi dhe tani sigurisht që do ta analizojmë atë që kam dëgjuar dhe do të informoj liderët e mi”, deklaroi Lajçak.
Ai ka folur lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, i cili tha se është përmendur dje në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe se BE kërkon që Serbia të ndërmarrë ndëshkime ndaj agresorëve. Emisari Lajçak përmendi shkurtazi edhe çështjen e vendimit të BQK’së për binarin, pa dhënë ndonjë shpjegim.