Barcelona është vënë në gjah për ta gjetur pasardhësin e Xavi Hernandezit.
Trajneri katalunas e ka paralajmëruar largimin nga “Camp Nou” në fund të këtij sezoni pas formës së zbehtë që po e kalojnë “Blaugrana” dhe pas presionit që ia kanë bërë mediat atij.
Gjithashtu, legjenda katalunase është ankuar shpesh në referim në këtë edicion.
E në ndërkohë, drejtuesit e klubit “po e gjurmojnë” trajnerin e ri.
Së fundmi u përmend si opsion trajneri i tashëm i Liverpoolit, Jurgen Klopp, i cili e ka konfirmuar largimin nga “Anfield Road” në fund të këtij sezoni.
Trajneri gjerman ka thënë se i janë harxhuar energjitë dhe se ka nevojë për paksa pushim, kështu që ish-trajneri i Borussia Dortmundit duket si një mundësi më e zbehtë.
Ndërkohë, emisioni sportiv spanjoll “El Chiringuito” e ka hedhur “bombën” sot,
Sipas gazetarëve të këtij emisioni, presidenti i Barçës, Joan Laporta po e ëndërron rikthimin e Pep Guardiolës në Barcelonë për ta zëvendësuar Xavin.
“Filozofi” e ka ndërmend ta vazhdojë epokën e suksesshme me Manchester Cityn, por futbollit nuk i dihet kurrë dhe deri në verën që vjen mund të ndodhë gjithçka.
Guardiola e ka në zemër Barcelonën, ku kishte eksperienca të suksesshme dhe të paharrueshme si futbollist dhe si trajner.
Andaj, nuk përjashtohet mundësia që një ditë ai të rikthehet në këtë klub, përsëri si trajner.