Tre gjyqtarë të avancuar nga pushteti dyshohen se janë përfshirë në nxjerrjen e aktvendimeve në favor të interesave qeveritare. Përmes një hulumtimi Paparaci shkruan se dëshmon lidhshmërinë e emërimeve të propozuara nga qeveria dhe vendimeve që ata gjyqtarë marrin në raste ku palë është pushteti.
A është koincidencë apo e qëllimshme?
Gjyqtarë të avancuar në detyrë nga qeveria kanë vendosur në favor të palëve të lidhura me pushtetin në disa raste gjyqësore.
Lëndët janë në Gjykatën Komerciale.
Një hulumtim i Paparacit dëshmon lidhshmërinë e emërimeve të propozuara nga qeveria dhe vendimeve që ata gjyqtarë marrin në raste ku palë është pushteti.
Me propozim të Ministrisë së Drejtësisë në tetor të vitit të kaluar, tre gjyqtarë të Gjykatës Komerciale u emëruan në Komisionin për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.
Faton Bajrami, Françiska Zhitia dhe Saranda Gogaj janë gjyqtarë në Dhomën e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale. Të tre janë përfshirë në gjykimin e lëndëve ku palë ka qenë pushteti: rasti “Rruga A” dhe rasti Telekom-Dardafon.
Të propozuar nga qeveria në tetor, në mesin e muajit dhjetor ata u votuan në këto pozita nga deputetët e shumicës parlamentare.
Por, cilat janë lidhjet e tyre me pushtetin dhe si vendosën ata në rastet ku palë e interesit ishte pushteti?
Faton Bajrami është caktuar gjyqtar në Gjykatën Komerciale në maj të vitit 2022.
Ai është vëllai i Agron Bajramit, prokurorit të Prokurorisë Speciale. Reja e tij, Flutura Gogaj (bashkëshortja e prokurorit Agron Bajrami, v.j) është po ashtu një e avancuar në detyrë nga Ministria e Drejtësisë.
Në shtator të vitit 2021, kur pushteti e shkarkoi nga detyra drejtorin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, në vendin e tij e emëroi Flutura Gogajn. Në kohën e saj u zhdukën mostrat e Astrit Deharit, aktivistit të ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje. Një komision disiplinor e suspendoi atë dhe katër punonjës të tjerë të IML-së për përgjegjësi në zhdukjen e mostrave, por në janar të vitit të kaluar të njëjtit u kthyen sërish në punë.
Çështja e Rrugës A, e njohur zyrtarisht si Rruga “Jim Xhema”, e kontestuar në Komerciale nga një kompani private e ndërtimit, i vendosi përball interesat e pushtetit qendror ndaj Komunës së Prishtinës. Ndonëse nuk ishin drejtpërdrejtë palë në këtë proces gjyqësor, opozita e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë i gëzohej bllokimit të punimeve të Rrugës A, një projekti kapital të rivalëve të tyre politik, LDK-së që udhëheq me kryeqytetin.
Dhjetë ditë para se të propozohej nga qeveria për pozitë në Komisionin për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, më 2 tetor 2023 gjyqtari Faton Bajrami i bllokoi punimet e “Rrugës A”.
Bajrami, si kryetar i një kolegji gjykues në Dhomën e Shkallës së Dytë, vendosi në favor të ankesës së kompanisë ‘Pro & CO Group’ Sh.p.k., kundër vendimit të OSHP-së për tenderin e Rrugës A.
Duke e prishur aktvendimin e Dhomës së Parë të Gjykatës Komerciale, i cili nuk konstatonte shkelje në vendimin e OSHP-së për tenderin e Rrugës A, gjyqtari Bajrami urdhëroi përjashtimin nga rasti të gjyqtarit Arnis Dumani.
Në vend të Dumanit, për trajtimin e lëndës në shkallën e parë të Komerciales u caktua gjyqtarja Vlora Pacolli-Rexhepi, motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli. Edhe ajo vendosi në favor të interesave qeveritare. Në favor të kompanisë ankuese kundër tenderin të Rrugës A.
Përfundimisht, Komercialja i hapi rrugë punimeve të Rrugës A në fund të vitit të kaluar. Më 29 dhjetor, shkalla e dytë i aprovoi si të bazuara ankesat e OSHP-së dhe vendosi që të rinisin punimet e rrugës. Vendimi u mor nga një kolegj i kryesuar nga gjykatësi Dren Rogova.
Lënda e Rrugës A nuk është e vetmja në të cilën gjyqtari Faton Bajrami vendosi në favor të interesave qeveritare.
Bajrami kryesonte kolegjin e Apelit të Komerciales në çështja përmbarimore mes kompanisë Dardafon.net dhe Telekomit të Kosovës.
Rasti ndërlidhet me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit lidhur me borxhin 10 milionë eurosh që Telekomi i detyrohet Dardafonit. Telekomi ka kërkuar që të anulohet vendimi i Arbitrazhit.
Shkalla e parë e gjykatës i dha të drejtë Dardafonit, por kur rasti u apelua për herë të dytë në shkallën e dytë të Komerciales, gjyqtari Bajrami vendosi në favor të ankesës së Telekomit. Përveçse e ktheu lëndën në rivendosje procedurën përmbarimore, ai kërkoi edhe përjashtimin e gjyqytarit Alajdin Tërshnjaku nga lënda, një kërkesë edhe e Telekomit.
Duke e komentuar këtë aktvendim, kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli tha se nuk është praktikë e gjykatës rikthimi për herë të tretë në rivendosje i një lënde.
“Nga të dhënat në dispozicion, rezulton se kthimi i lëndëve në rivendosje për më shumë se dy herë si dhe ndërrimi i gjyqtarit të gjykatës së shkallës së parë për trajtimin e rastit nga Dhomat e Shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale nuk është dukuri që e përcjellë praktikën e kësaj gjykate dhe ka ndodhur vetëm në disa raste të izoluara dhe specifike ku gjyqtarët e kanë vlerësuar si të domosdoshme, e për të cilat unë si Kryetar nuk mund të jap vlerësime e as ti komentojë sepse tejkalojnë kompetencat e mia ligjore”, ka thënë Tutuli për portalin Nacionale javën e kaluar.
Procedura përmbarimore është ende në shqyrtim në shkallën e parë të Komerciales.
Gjyqtarja tjetër e Komerciales që përfitoi në karrierë përmes emërimit në Komisionin për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës është Franciska Zhitia.
E caktuar gjykatëse në Gjykatën Komerciale në maj të vitit 2022, Franciska Zhitia është pjesë e instancës së shkallës së dytë të gjykatës. Ka marrë pjesë në marrjen e disa aktvendimeve ku palë e interesuar është pushteti.
Paparaci mëson se Franciska Zhitia është vajza e Hilmi Zhitisë, prokuror i kallëzuar penalisht për përndjekjen e dyshuar politike të shqiptarëve të Kosovës në periudhën e ish-Jugosllavisë.
Emri i Hilmi Zhitisë dhe 29 ish-funksionarëve të sistemit komunist ishin pjesë e një kallëzimi penal të deponuar nga Nait Hasani, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës. Bazuar në kallëzimin penal të Hasanit, Zhitia dhe të tjerët dyshoheshin “për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid”.
Gjyqtari Hilmi Zhitia e ka cilësuar absurde listën e figurave të ish-sistemit të kallëzuar penalisht nga Hasani. Në një deklarim për Bota Sot në vitin 2010, ai tha se ai ishte një nga të shkarkuarit e parë shqiptarë nga institucionet serbe në fillim të vitit 1990.
Një emër tjetër i lidhur me emërimet qeveritare në Komisionin për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës dhe vendimet gjyqësore është Saranda Gogaj – Sheremeti.
Gogaj – Sheremeti, me propozim të Ministrisë së Drejtësisë, është emëruar zëvendësanëtare e komisionit.
Ajo është bashkëshortja e Kushtrim Sheremetit, aktorit dhe drejtorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Sheremeti u zgjodh drejtor i Teatrit Kombëtar në shkurt të vitit 2022, me vendim të Këshillit Drejtues të TKK-së, të caktuar më parë aty nga Ministria e Kulturës./Paparaci/