Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës e cila hyn në fuqi nesër, ka për qëllim të mbrojë konsumatorin dhe sistemin e pagesave në vend.
Sipas tij, objekt i kësaj rregulloreje nuk ka qenë dhe as nuk është ndalimi i qarkullimit të ndonjë monedhe specifike në vend.
Në një konferencë për media, zëvendëskryeministri ka deklaruar se rregullorja “as nuk e ndalon, as nuk e lejon e as nuk merret me dinarin serb”.
“Qëllimi final i rregullores është mbrojtja e konsumatorit dhe sistemit të pagesave në Republikën e Kosovës. Objekt i rregullores nuk ka qenë e as nuk është ndalimi i qarkullimit të ndonjë monedhe specifike në vend, sepse kjo temë është e rregulluar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, është shprehur Bislimi
Ai tutje ka thënë se çfarëdo tentative që rregullorja të trajtohet vetëm nga aspekti i ndalimi i qarkullimit të një monedhe të caktuar, në rastin më të mirë përbën mosnjohje të rregullores apo kompetencave të BQK-së, por edhe tendencë për keqpërdorim të kësaj rregulloreje për tendenca jofisnike politike.
“Me nxjerrjen e kësaj rregulloreje, BQK-ja është kujdesur në maksimum për ruajtjen e pavarësisë së saj të plotë institucionale dhe menaxheriale. Me këtë BQK-ja ka dëshmuar nivel mbresëlënës të profesionalizmit, komponentë e rëndësishme në garantimin e integrimit të suksesshëm të sistemit tonë monetar në platformat dhe mekanizmat e bashkëpunimit rajonal dhe ato brenda eurozonës”.