Pa folur me Selën, shkoi në Prishtinë/Taravari thotë se “nuk është kryer puna” për bashkëpunimin me LEN-in

by Nexhat

Pas takimit në Prishtinë te Albin Kurti, burime brenda takimit thonë se bashkëpunimi mes Taravarit, Mexhitit, Kasamit dhe Gashit tashmë është punë e kryer. Ditët në vazhdim pritet formalizimi i marrëveshjes ndërsa gjatë javës Taravari pritet t’i informojë organet e partisë. Po a do të jenë edhe Sela e Lloga në një vijë me Taravarin, kjo pritet të mësohet në mbledhjen e kuvendit të ASh-së. U përpoqëm që sot të kuptojmë më shumë rreth takimit nga vetë Taravari, por ai me një mesazh të shkurtër u përgjigj se puna nuk është mbyllur.

“Nuk është kryer puna. Kur të kemi një vendim definitiv, patjetër që do të deklarohemi”, tha Arben Taravari, kryetar i ASH-së.

Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit qëndor të ASH-së, Ziadin Sela, pohoi se Taravari nuk është koordinuar me të për takimin që e zhvilloi mbrëmë në Prishtinë.

 A ka qenë z.Taravari në koordinim me ju si Kuvend Qendror për takimin që realizoi në Prishtinë?
-Jo aspak. Për çdo detaj tjetër drejtohuni te kryetari, tha Ziadin Sela – kryetar i Kuvendit Qendror ASH

Por të kundërtën e thotë anëtari i Kuvendit Qendror, ministri Fatmir Mexhiti.

Normal se jam në koordinim të përditshëm me kryetarin e partisë. Ne nuk i fshehim ato. Disa herë kryetari i partisë është takuar edhe me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti edhe me përfaqësuesit e opozitës që tash quhen LEN. Këtë e bëjmë me qëllim për një të ardhme më të mirë për Europë”, pohoi Fatmir Mexhiti –ASH.

Nga Lëvizja Besa thotë se në parim ka një dakordim politik, por jo edhe marrëveshje mes partive.

“Nuk mund të themi se ka marrëveshje por në parim ka një dakordësi. Brenda javës apo kah fundi javës do të jeni të njoftuar për detajet”, pohoi Albi Qamili – L.Besa.

Detaje rreth takimit kërkuam edhe nga Alternativa. Nga atje na thanë se është biseduar për zhvillimet politike dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit, me qëllim avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni.

Mbrëmë pas takimit nga kabineti i kryeministrit të Kosovës Kurti njoftuan që në takim është diskutuar për situatën shoqërore e ekonomike të shqiptarëve në Maqedoni, nevojën për demokraci dhe stabilitet, ndërsa që të katërt krerët e partive politike kanë shprehur propozimin e tyre për një president të Maqedonisë së Veriut i cili duhet të vijë nga mesi i shqiptarëve.

Burime nga brenda takimit thonë se për çështjen e presidentit, Taravari, Kasami, Mexhiti dhe Gashi kanë dhënë propozim për një president i cili “kësaj radhe duhet të jetë shqiptar”. Burime nga ky koalicion thonë se kandidati i tyre për president do të grumbulloje edhe një pjesë të sektorit civil. Nëse LEN del me kandidat për president, në këtë rast flitet se edhe BDI do të dilte me kandidatin e saj, e kjo situatë aspak nuk i shkon për shtati LSDM-së, e cila pret mbështetjen e BDI-së për zgjedhjet presidenciale

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy