Ish shefi i AKI’së, Burim Ramadani, ka thënë se KFOR-i të hënën nuk e ka lejuar ministrin Elbert Krasniqi të hyjë në objektin e komunës së Zveçanit, për ta takuar kryetarin Ilir Peci.
“KFOR-i nuk lejoi ministrin Elbert Krasniqi të hyjë në objektin e Komunës së Zveçanit. Ngjarja ka ndodhur këtë të hënë, më 29 janar 2024, në orët e pasdrekës, derisa Ministri i Qeverisë së Kosovës shkoi për ta takuar Kryetarin e Komunës së Zveçanit”, ka shkruar Ramadani.
Ai tha se ky është indikacion shqetësues për fazën se si KFOR duket që ka vendosur të ushtrojë kompetencat e veta.
“KFOR-i ktheu mbrapsht ministrin Elbert Krasniqi nga komuna e Zveçanit, duke dhënë kështu një indikacion, për mua, shqetësues për fazën se si KFOR duket që ka vendosur të ushtrojë kompetencat e veta.”
Ramadani, në një postim në Facebook, ka shkruar se KFOR nuk ka pasur të drejtë t’ia ndalojë hyrjen ministrit Krasniqi, derisa ka shtuar se kjo “është një dëshmi fort e keqe për nivelin e raporteve midis Qeverisë së Kosovës dhe prezencën ndërkombëtare ushtarake”.
“Në fakt, KFOR-i nuk ka pasur të drejtë t’i ndalojë hyrjen Ministrit Krasniqi, ndërsa kjo është një dëshmi fort e keqe për nivelin e raporteve midis Qeverisë së Kosovës dhe prezencën ndërkombëtare ushtarake”.