Forumi në Uashington: Rusia po ndihmohet nga Serbia në përpjekjet e saj për destabilizim të Ballkanit  

by Nexhat

Anëtarë të Kongresit dhe zyrtarë të lartë amerikanë, si dhe anëtarë të parlamenteve të vendeve evropiane dhe të Ballkanit Perëndimor, kanë shprehur shqetësimin për ndikimin malinj të Rusisë dhe Kinës në në Ballkan dhe rolin e Serbisë në këtë ndikim.

Ata folën për këtë temë më 31 janar në një forum në Kongresin Amerikan.

Pjesëmarrësit thanë se Rusia dhe Kina po përpiqen të rrisin ndikimin përmes ndërhyrjeve politike dhe dezinformimit në rastin e Moskës, dhe kryesisht përmes investimeve ekonomike dhe infrastrukturore në rastin e Pekinit.

Ata theksuan nevojën për të forcuar koordinimin mes SHBA-së dhe aleatëve të saj me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ata folën edhe për nevojën e integrimit rajonal, raporton Zëri i Amerikës.

Kongresmeni republikan Pete Sessions, një nga bashkëkryesuesit dhe organizatorët e diskutimit, i tha Zërit të Amerikës se Rusia ka vite që po përpiqet të destabilizojë Ballkanin dhe se është e qartë se përdor dezinformimin dhe forcën kur dëshiron të arrijë qëllimet e saj.

“Destabilizimi i Ballkanit (nga Moska) është diçka që secili prej vendeve atje e sheh dhe ata shohin se jo vetëm po ndodh, por se ka një përpjekje të qëllimshme për të minuar ato vende”, tha ai.

Ai shtoi se SHBA dhe organizatat perëndimore duhet të mbështesin stabilitetin e rajonit.

“BE, NATO dhe Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të bashkuar dhe të thonë fuqishëm ‘ne i mbështesim këto vende dhe do të qëndrojmë me ta’. Kjo është ajo që u duhet këtyre vendeve: që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të qëndrojnë fort në anën e tyre.” tha Sessions.

Analisti i çështjeve të Ballkanit Edward Joseph tha për Zërin e Amerikës se ai u kujtoi anëtarëve të Kongresit dhe zyrtarëve amerikanë se sa i rëndësishëm është Ballkani.

“Ky rajon është pjesë e strategjisë së Putinit. Ai dëshiron të ndajë Evropën nga Shtetet e Bashkuara dhe dëshiron të ndajë Evropën brenda vetes, dhe Ballkani është rruga kryesore për ta bërë këtë,” tha ai.

Joseph tha se Rusia ka ndihmën e Serbisë në përpjekjet e saj.

“Serbia pret RT dhe Sputnik në hapësirën mediatike. Këto janë platforma që ofrojnë narrativa pro-ruse në të gjithë rajonin. Dhe kjo është vetëm një nga mënyrat në të cilat Serbia ndikon, në një mënyrë negative, në avancimin e agjendës ruse”

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy