Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Matthew Miller, ka deklaruar se SHBA po ndjek një politikë aktive për krijimin e një shteti të pavarur palestinez me garanci reale të sigurisë për Izraelin, dhe po bashkëpunon me partnerët në rajon lidhur me alternativat.
“Ne po ndjekim në mënyrë aktive krijimin e një shteti të pavarur palestinez me garanci reale të sigurisë për Izraelin, sepse ne besojmë se kjo është mënyra më e mirë për të sjellë paqe dhe siguri të qëndrueshme për Izraelin, për palestinezët dhe për rajonin. Ka një numër mënyrash për ta arritur këtë, një sërë hapash që mund të kryhen për ta përmbushur këtë objektiv. Kemi një gamë të gjerë alternativash të cilat po i diskutojmë me partnerët tanë në rajon si dhe me partnerët e tjerë brenda qeverisë amerikane”, tha Miller.
Sipas tij, SHBA-ja ka procese të vazhdueshme të planifikimit të politikave për mënyrën më të mirë për ta çuar përpara krijimin e shtetit palestinez.
“Ne mbështesim krijimin e një shteti të pavarur palestinez dhe ne bëjmë shumë punë brenda qeverisë për të menduar se si ta realizojmë atë dhe ju na shihni që flasim për atë punë publikisht kur jemi në rajon”, theksoi ai.
Pa komentuar punët e brendshme që bën SHBA-ja për ta çuar përpara këtë objektiv, Miller tha se ka pasur një “ndryshim politikash”.
Gjatë një fjalimi në Davos në fillim të këtij muaji, zoti Blinken tha se për Lindjen e Mesme kishte një “ekuacion të ri”, në të cilin fqinjët arabë dhe myslimanë të Izraelit ishin të përgatitur për ta integruar Izraelin në rajon, por ishin po aq të përkushtuar për një rrugë drejt një shteti palestinez.
Por kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e kundërshton propozimin e administratës së Presidentit Biden për krijimin e një shteti të pavarur palestinez. Ai tha gjatë fundjavës se nuk do të bënte kompromis mbi “kontrollin e plotë të sigurisë izraelite në të gjithë territorin në perëndim të lumit Jordan”.