Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësimin e Brukselit s’kanë edhe shumë kohë për të vendosur mbi ‘planin e sekuencimit’ për marrëveshjen e arritur vitin e kaluar. Këtë nguti e vuri në pah dje edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila përmendi zgjedhjet në Bashkimin Europian dhe ndërrimin potencial të njerëzve që merren me procesin e normalizim të marrëdhënieve mes dy fqinjëve ballkanikë.
Presidentja Vjosa Osmani ishte e para që priti në takim të martën emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili ia potencoi urgjencën që Kosova dhe Serbia të vënë në zbatim marrëveshjen e arritur në Bruksel e Ohër.
Këtë urgjencë e përmendi dje edhe Osmani në një prononcim për gazetarë pas homazheve që u bëri heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.
Osmani tha se me Lajçakun diskutuan edhe për çështjen e draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke shtuar se i ka ndarë shqetësimet e saj edhe në këtë takim, por edhe
“Për detajet teknike se si e në çfarë mënyre do të vendoset ky që quhet plan i sekuencimit, jam e bindur që këto do të determinohen në takimet e ardhshme në dialog ndërmjet kryenegociatorëve. Por, siç e dini nuk ka mbetur edhe shumë kohë për shkak se…zotëri Lajçak ka edhe pak kohë sepse siç e dini janë edhe zgjedhjet në Bashkimin Europian, pas zgjedhjeve pastaj janë emërimet e reja të komisionerëve, përfshirë edhe të përfaqësuesve të lartë. Unë s’mund të paragjykoj se kush do të jenë ata, por si rregull mandati i Lajçakut është edhe disa muaj, deri diku në verë. Po, për datën e saktë besoj mund të përgjigjen ata”, tha Osmani.
Presidentja tha se shqetësimet e saj mbi draftin e prezantuar vitin e kaluar tha se i ka ndarë në disa takime.
“Po në të njëjtën ditë [kur kam pranuar draftin] i kam prezantuar disa shqetësime të mia që kanë qenë të involvuara në hartimin e këtij drafti. Njëkohësisht, pastaj këto komente dhe shqetësime i kam komentuar më detajisht në takimet e mëvonshme me zyrtarë të lartë të Quint-it dhe këto i kemi diskutuar edhe dje [të martë] në takimin me Lajçak”.
Pas takimit me krerët e Kosovës, Lajçak në prononcimin për media si pikë të parë përmendi zgjedhjet e ardhshme në BE për të treguar se sa i nevojshëm është nxitimi për zbatimin e marrëveshjes.
“Vëmendja më vonë këtë vit do të fokusohet në këto procese dhe për këtë udhëtova dje në Beograd dhe sot në Prishtinë për të diskutuar procesin tonë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë për të bërë bilancin se ku jemi dhe për të diskutuar se sa progres mund të arrijmë përpara se Europa të hyjë në zgjedhje”.
Falë dialogut, tha Lajçak, ka pasë rezultate të rëndësishme para përfundimit të vitit 2023, duke përmendur marrëveshjen për energji dhe targat. Por, Lajçak shprehu pakënaqësi me rezultatet e arritur për synimin e madh të normalizimit të marrëdhënieve.
“Por, ka një pak progres në fotografinë e përgjithshme në normalizimin e marrëdhënieve. Ne kemi marrëveshjen nga shkurti dhe marsi vitin e kaluar që nënkupton se më nuk duhet ta bëjmë pyetjen ‘çfarë duhet të bëhet’, nuk duhet ta pyesim veten as si ta bëjmë. Pyetja është – kur duhet ta bëjmë. Dhe sigurisht nëse më pyesni mua, do të them pa vonesë dhe sa më shpejt që është e mundur, le të fillojmë me zbatimin.
Për ta çuar procesin përpara dje zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se “ia vlen” një takim i nivelit të lartë në Bruksel, duke treguar se shefi i tij, Albin Kurti, e ka prekur temën mbi këtë mbi këtë çështje me emisarin Lajçak. Megjithatë, ai tha se qëndrim i Kosovës është se për t’u mbajtur takimi duhet të ketë rezultat.
“Në takimin që Lajçak që ka pasë me kryeministrin Kurti është prekur si ide që ia vlen të ketë një takim të nivelit të lartë. Por, ne mendojmë që pa pasë diçka rezultat, pa pasë gatishmëri të Serbisë që të lëvizet në formalizimin e marrëveshjes dhe përkushtimin për zbatimin e saj, nuk ia vlen të ftohen takime që pastaj s’nxjerrin asnjë rezultatet meqë takimet e tilla krijojnë pritshmëri te palët”.
Bislimi tha se edhe Serbia mund ta ketë qëndrimin e njëjtë si të Kosovës.
“Me gjasë, qëndrimi s’është fort ndryshe edhe në Beograd meqë Lajçak para ardhjes në Prishtinë ka qëndruar në Beograd”, tha ai në konferencën e djeshme për media.
Ndërkaq, për takimet e nivelit teknik që do t’i zhvillojë ai në Bruksel, Bislimi tha se nuk e di formatin dhe se këtë s’e ka diskutuar në takimin me të dërguarin e Unionit.
“Unë listova nëntë temat për të cilat kemi diskutuar mbrëmë dhe meqë nuk e kam përmendur i bie që s’është diskutuar fare formati i takimeve”.
