Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi e quan projekt-statutin e hartuar nga komuniteti ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të dëmshëm, pasi sipas saj, krijon mundësi që të krijohet një Republikë Serbe e ngjajshme me atë që ekziston në Bosnje.
Përfaqësuesja e komunitetit boshnjak të Kosovës në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se qeveria do të presë qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese, para se “të hartojë një statut të ri për Asociacionin”.
Intervista e plotë:
Zonja Rexhepi, Kosova është nën trysni të vazhdueshme për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Çfarë hapash po ndërmerr qeveria juaj për të përmbushur këtë detyrim që është pjesë e marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe në Ohër?
Emilija Rexhepi: Si qeveri e re, me kryeministër Albin Kurtin e kemi trashëguar këtë problem. Unë jam një nga ata që kanë votuar për themelimin e këtij Asociacioni më 2015, megjithëse kjo është një çështje prej vitit 2013, duke vlerësuar që komuniteti serb duhet të integrohet në shtetin e Kosovës, ashtu siç kemi bërë ne të tjerët, që të ketë të drejta për të jetuar, për tu shkolluar, për të punuar. Por tani kjo është një çështje krejt tjetër, pasi vlerësoj që drafti i tanishëm u jep atyre shumë të drejta, që pushteti ekzekutiv i Asociacionit, nëse do të themelohej, do të ishte i madh dhe kjo do të dëmtonte shtetin tonë. Nëse do të themelohej një Asociacion i tillë krijohet mundësia që të themelohet një Republikë e dytë Serbe ashtu siç është krijuar në Bosnje e Hercegovinë. Ne si qeveri kemi qëndrimin që mbështetet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe do të presim qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese që të mos bëjmë asgjë që shkon në dëm të shtetit tonë.
Ju thoni që Projekt-Statusi që ka ardhur prej BE-së, prej Komunitetit ndërkombëtar është në dëm…?
Emilija Rexhepi: Drafti që kemi parë, i jep shumë pushtet ekzekutiv Asociacionit dhe mund të vijë deri te krijimi i një shteti të ri brenda shtetit tonë.
Pra, ju e kundërshtoni projekt-statutin dhe nuk do ta pranoni?
Emilija Rexhepi: Unë jam gjithmonë kundër kësaj dhe kjo nuk është kundër serbëve, por thjeshtë krijon hapësirë në të ardhmen, që kjo pjesë e territorit të shkëputet dhe të shpallet ndoshta një republikë tjetër.
Atëherë pse qeveria e Kosovës nuk harton një projekt statut të vetin dhe pse nuk e ka bërë këtë deri më tani, sepse ka kaluar një kohë që ky është bërë një kusht ndërkombëtar që Kosova duhet ta plotësojë?
Emilija Rexhepi: Ne kemi bashkëpunim dhe kemi bisedime të ngushta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian dhe rruga drejt BE-së është diçka që për ne ofron përparim dhe përspektivë dhe ne nuk do të heqim dorë nga ajo. Qeveria jonë padyshim do të mbështetet në Gjykatën Kushtetuese, do të presim qëndrimin e saj dhe më pas do ta marrim çështjen në duart tona dhe do të hartojmë një statut të ri për Asociacionin.
Një tjetër çështje që ka shkaktuar probleme mes Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar është mbajtja e zgjedhjeve në katër komunat e pjesës veriore. Ndonëse diplomatët perëndimorë preferonin dorëheqjen e kryetarëve të komunave, qeveria juaj zgjodhi një proces më të ndërlikuar përmes një peticioni që tashmë është nënshkruar. A janë këto vonesa në dëm të proceseve dhe të marrëdhënieve të Kosovës me komunitetit ndërkombëtar?
Emilija Rexhepi: Ne nuk kemi probleme me përfaqësuesit ndërkombëtar dhe me komunitetin ndërkombëtar pasi vlerësoj që bëmë gjërat e duhura. Me serbët kemi gjithmonë probleme duke filluar nga regjistrimi i makinave, procesi i reciprocitetit, pasi Serbia përfiton më shumë nga eksportet se sa Kosova. Më pas keni parë se çfarë ndodhi në Banjskë, sulmet ndaj KFOR-it, sulmet ndaj policëve tanë, një jetë u humb dhe siguria padyshim është dëmtuar. Mund të vij deri të një përshkallëzim të një dhune të madhe dhe është mirë që atë e kemi ndaluar ashtu si duhet. Vlerësoj që edhe serbët që jetojnë në pjesën veriore të shtetit janë lodhur nga e gjithë kjo pasi një pjesë e serbëve ka dhënë dorëheqjen nga policia dhe kjo më duket si pjesë e një skenari që është hartuar më parë që ndoshta ata të shpëtojnë jetën e tyre dhe të vuaj dikush tjetër nga policia, pavarësisht nga përkatësia etnike… Vlerësoj që kur u mbajtën zgjedhjet lokale ne kemi qenë të detyruar nga Kushtetuta, përfaqësuesit tanë duhet të mbanin zgjedhjet për shkak të mos funksionimit të pushtetit lokal në katër komunat e pjesës veriore. Nuk ishte as qeveria e as përfaqësuesit shqiptarë që tani jani në ato komuna fajtor për atë pasi Kushtetuta duhet të respektohej. Serbët kanë të drejtë që të zgjedhin se si të përfaqësohen në komunat e tyre dhe shpresoj që së shpejti do të organizojmë zgjedhjet lokale dhe do të vendosin se kush do t’i përfaqësojë. Është e sigurt që këta nuk do të jenë shqiptarë e as boshnjakë, por ata duhet të marrin pjesë në votim. Vendimi i tyre që të mos marrin pjesë në zgjedhje krijoi mundësinë që të kandidojnë të tjerët dhe të fitojnë zgjedhjet. Nëse doni të jeni pjesë e shoqërisë së Kosovës, pjesë e një shteti normal dhe të jetoni së bashku me ta, normalisht që duhet të jeni pjesë e institucioneve.
Mund të thoni pse mungon guximi brenda komunitetit serb që të ndahen prej strukturave paralele dhe të integrohen në Republikën e Kosovës?
Emilija Rexhepi: Mendoj se duhet të përqëndrohemi në zhvillimin ekonomik, në mbijetesën e familjes, diçka që unë si zëvendës kryeministre për minoritete e kam bërë tani me organizatën ndërkombëtare ICO për investime kapitale për komunat ku jetojnë komunitetet që nuk i përkasin shumicës me theks të veçantë në veriun e Kosovës në mënyrë që të përfshihen të gjithë serbët. Ky projekt ka vlerën prej 300 milionë euro, pra bëhet fjalë për një investim tejet të madh. Kemi në plan që ta realizojmë këtë prej vitit 2024 deri më 2030, për gjashtë vjet. Fjala është për projekte madhore duke filluar nga infrastruktura, ndërtimi i spitalit, ndërtimi i shkollave dhe rrugëve, mbështetja e zhvillimit ekonomik dhe projekte që kanë të bëjnë me ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhës të të gjitha kulturave. Aty shoh hapësirë për kohezion më të mirë shoqëror, për dialog ndër-etnik me shqiptarët dhe të gjithë ne të tjerët dhe zhvillim më të fuqishëm të atyre zonave. Vetë fakti që në këtë projekt tani janë të përfshirë serbët e veriut dhe ku po punojmë për një vit e gjysmë, krijon hapësirën dhe mundësinë që të bashkëpunojmë dhe komunikojmë më mirë në të ardhmen. Unë jam e hapur dhe nuk kam asnjë problem që të bisedoj dhe punoj me serbët, shqiptarët, boshnjakët. Unë respektoj çdo kombësi, çdo fe dhe vetëm në këtë formë e ardhmja e Kosovës do të jetë e mirë.
Trajtimi me përparësi i komunitetit serb, ndërsa ju jeni përfaqësuese e komunitetit boshnjak, nuk besoni që i lë në hije interesat, çështjet me rëndësi të komuniteteve tjera pakicë që nuk janë serbë?
Emilija Rexhepi: Unë kam punuar me serbët dhe kam qenë në parlament me ta dhe kam votuar shumë ligje me rëndësi që janë në interes të popullit serb. Serbët duhet ta kuptojnë se të drejta të njëjta kanë edhe boshnjakët, turqit, goranët, romët. Nuk mund të ketë privilegje vetëm për njërën kombësi e as që duhet të viktimizohet kombësia tjetër. Një popull nuk mund të jetë superior. Fakti që jetojmë në një Kosovë multietnike është një vlerë. Në qeveritë e mëparshme ka qenë ashtu, ata kishin koalicione me partinë Lista Serbe dhe komuniteti serb gjithmonë ka dominuar. Tani jo, qeveria e zotit Albin Kurti u jep shumë hapësirë komuniteteve të tjera, shumë prej nesh jemi në institucione. Unë jam zëvendëskryeministre dhe kjo është hera e parë që nuk është një serb dhe kjo u jep një kënaqësi komuniteteve të tjera që të ndihen të lirë në shtetin e tyre.
Vitin e kaluar, ju keni përmendur disa incidente me bazë etnike. Keni përmendur një rast në Prizren, një në Gjakovë ku një pjesëtari të komunitetit egjiptian nuk i është lejuar hyrja në një lokal, për arsye etnike. Ju keni thënë se një prej mundësive për t’u larguar nga kjo situatë është që familjet, duke filluar nga shumica shqiptare të riedukojnë dhe të rrisin fëmijët e tyre me idenë që nuk është vetëm një komunitet etnik që jeton në Kosovë, por ka shumëllojshmëri etnish dhe gjuhësh të ndryshme dhe duhet të mësohen me këtë. Gati një më vit pas, besoni se ka një ndryshim pozitiv në këtë aspekt?
Emilija Rexhepi: Ne që jetojmë në mjedise të ndryshme, ku ka komunitete të ndryshme jemi rritur në atë mënyrë që jemi shoqëruar së bashku, kemi shkuar në shkollë së bashku, punojmë së bashku dhe nuk kemi probleme të tilla. Megjithatë, në Kosovë ka zona që janë etnikisht të pastra, ku jetojnë vetëm shqiptarët, vetëm serbët apo boshnjakët, një fshat etnik pra dhe është shumë me rëndësi që të edukoni fëmijet tuaj në atë mënyrë që këtu nuk jetoni vetëm ju dhe nuk janë vetëm fëmijët tuaj të rëndësishëm dhe po aq të rëndësishëm janë edhe fëmijët e të tjerëve. Mund të jenë të ndryshëm por edhe ata janë kosovarë dhe duhet t’i doni po ashtu si i doni tuajët, t’i respektoni dhe para së gjithash ata janë miqtë tuaj, fqinjët tuaj, mund të jenë partnerët tuaj apo kolegë të punës dhe vlerësoj se ende duet të punojmë në këtë drejtim dhe të forcojmë sistemin tonë që t’iu jep hapësirë të gjithëve. Edhe shqiptarët duhet të mësojnë se në Kosovë jetojnë edhe kultura të tjera dhe që flasin gjuhë të tjera. Serbët duhet ta dijnë që në Kosovë shumica janë shqiptarë dhe ku jetojnë edhe të tjerë që flasin gjuhë tjera dhe duhet të respektojmë njëri tjetrin dhe të jetojmë të gjithë së bashku.