Prokuroria Speciale e Kosovës ka në dorë prova të mjaftueshme, të cilat vërtetojnë përfshirjen e Milun Milenkovic në shumë prej sulmeve të organizuara që ndodhën ndër vite në veriun e Kosovës.
Dosje e rënduar është edhe për ish-policin e Kosovës, Dejan Pantiq, i cili përkundër arrestimit, ndodhet në liri përmes dorëzanisë
“Nëse më arrestojnë, gjuaj në drejtimin tim, gjuaj në veturën në të cilën jam, hidhe atë në ajër, edhe nëse nëse është nevoja të më vrisni mua. Vetëm mos lejoni që të më kapin të gjallë”.
Këtë mesazh ia kishte dërguar Milun Milenkovic, një miku të tij, në kohën kur në veriun e Kosovës u kryen disa sulme të organizuara
I njohuri me nofkën “Llune”, kishte frikë të binte në dorën e Policisë së Kosovës
Këto komunikime, sir raporton TV Dukagjini janë zbardhur pas konfiskimit të disa pajisjeve elektronike, të cilat ishin përdorur për komunikim nga grupi i cili kryente sulmet.
Tash, Llune bashkë me tre ish pjesëtarët e Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, Aleksandar Vllajiq e Mimomir Vakiq, po akuzohen nga Prokuroria Speciale për vepra terroriste
Komunikimet mes tyre, të cilat tash i posedon prokuroria, zbardhin shumëçka për atë që ndodhi viteve të fundit në veriun e Kosovës
“Milun Milenkoviq i ballafaquar me komunikimet e nxjerra nga telefoni i tij përmes aplikacionit “Viber”, mohon se të ketë deklaruar se “prej sot zyrtarisht unë jam zëvendës komandant i “Brigadës së veriut”… dhe të ketë thënë se nuk ka tani “Mbrojtja Civile”, tani ka “Brigadë të Veriut”, thuhet në Aktakuzën e plotë të prokurorisë.
Përkundër këtij kundërshtimi të Llunes, prokuroria posedon edhe komunikime të tjera, të cilat e inkrimojnë atë, por edhe të akuzuarit e tjerë
“Në pjesën e fundit të bisedës, derisa policia ndodhet afër objektit, i pandehuri Dejan i thotë të pandehurit Vakiq, “se aty po dridhen dardha”, duke sugjeruar se aty është policia dhe mund të hidhen mjete shpërthyese, ndërsa i pandehuri Vakiq ia kthen të pandehurit Dejan: “Ti i hedh një mollë”, thuhet tutje në Dosjen e Prokurorisë.
Duke funksionuar si grup, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, theksohet se përgjatë gjithë kohës, Llune, Pantiq dhe të tjerët kanë shkëmbyer informacione për prezencën e Policisë së Kosovës, emrat e pjesëtarëve policor, pozitat e tyre, si dhe emrat e zyrtarëve të misioneve diplomatike, si KFOR-i, EULEX-i dhe OSBE-ja
Në dosjen e prokurorisë theksohet se këto komunikime u zhvilluan edhe në sulmin ndaj Komisioneve Komunale Zgjedhore, të cilat ndodhën në dhjetor të vitit 2022
Gjykimi ndaj katër të akuzuarve, nisi këtë vit. Llune ndodhet në paraburgim, përderisa ish-polici Dejan Pantiq prej shtatorit të vitit të kaluar është në liri përmes dorëzanisë 30 mijë euroshe, sikur edhe dy të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Vllajiq e Vakiq.