Banka Qendrore e Kosovës ka dalë me një njoftim ku tregon përgjigjet në pyetjet më të shpeshta sa i përket rregullores së re operacione me para të gatshme.
BQK thotë se valuta e vetme e vlefshme për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin kombëtar te pagesave në Kosovë është Euro.
“Valutat tjera jo euro mund të përdoren në Republikën e Kosovës si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”, thuhet në publikimin e BQK’së.
BQK tregon se ku mund të kryhen këmbimet valutore.
“Këmbimet valutore mund të kryhen në Republikën e Kosovës vetëm përmes institucioneve të licencuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës që ofrojnë këtë shërbim, për te gjitha valutat pa përjashtim nga aspekti rregullativ.”
BQK thotë se Rregullorja nuk ka vendosur kufizime dhe lejon hapjen e llogarive në të gjitha valutat për të cilat institucioni financiar ofron dhe klienti pajton.
“Rregullorja nuk ka vendosur asnjë kufizim sa i përket transferit ndërkombëtar të mjeteve në llogari. Prandaj, transferi në çfarëdo valute që niset nga vendi huaj, mund të pranohet dhe konvertohet në euro në vlerë ekuivalente me kursin përkatës, sipas procedurave të vet bankës së klientit.”