Pas rreth 20 ditësh trajtimi në Mjekimin Intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, vajza 23-vjeçare, Elza Ujkani që pësoi lëndime të rënda si pasojë e shembjes së kulmit në ndërtesën e Komunës së re në Prishtinë, është dërguar në Klinikën e Neurokirurgjisë për të vazhduar mjekimin.
Dje (e hënë), pasi është vlerësuar nga stafi mjekësor se gjendja e pacientes është jashtë rrezikut për jetë, është vendosur që ajo të vazhdojë trajtimin mjekësor në Klinikën e Neurokirurgjisë.
Kështu bën të ditur për KosovaPress, shefi i Mjekimit Intensiv Qendror në QKUK, Shaqir Uka.
Ai tha se gjendja e 23-vjeçares ka qenë stabile dhe jashtë rrezikut për jetë, ndaj edhe kjo ka qenë arsyeja pse është liruar nga intensiva për të vazhduar në Neurokirurgji
“Po, është e vërtetë që Elza dje në orët e mesditës është liruar nga Mjekimi Intensiv Qendror, pas përmirësimit të gjendjes së përgjithshme të saj. Gjendja ka qenë stabile dhe ne e kemi transferuar për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor në Klinikën e Neurokirurgjisë, ku do të vazhdojë të marrë trajtimin edhe për një kohë të caktuar… Ne mendojmë që gjendja e Elzës ka qenë jashtë rrezikut për jetë dhe kjo ka qenë arsyeja pse ne e kemi bërë këtë lëvizje nga Mjekimi Intensiv në Klinikën e Neurokirurgjisë. Shpresojmë që të mos ndodhë ndonjë komplikim i padëshirueshëm gjatë trajtimit të mëtutjeshëm të saj”, tha Uka.
Më 18 janar, një vajzë 23-vjeçare mori lëndime të rënda si pasojë e shembjes së kulmit në ndërtesën e Komunës së re në Prishtinë. Ajo fillimisht u trajtua në Qendrën Emergjente në QKUK, pastaj u dërgua në Mjekimin Intensiv për të vazhduar trajtimin.
Ndërkaq, nga komuna u tha se dyshimet e para janë që shembja e kulmit ka ndodhur si shkak i erërave të forta atë ditë, derisa hetimet po vazhdojnë.