Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius në një intervistë për gazetën ‘Blic’ të Beogtadit ka thënë se çështja e dinarit duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi të ndërmjetësuar nga Brukseli.
“Këtu janë përplasur dy këndvështrime: nga njëra anë, rregullorja paraqet zbatimin e Kushtetutës së Kosovës, dhe nga ana tjetër, Kushtetuta e Serbisë parasheh dinarin si mjetin e vetëm të pagesës. Për mua është e qartë se pjesa serbe e popullsisë, veçanërisht në veri të Kosovës, ende varet nga përdorimi i dinarit serb. Ndryshimi kërkon kohë. Dhe kjo kohë duhet të jepet për të arritur një zgjidhje përmes dialogut. Mendoj se edhe ky konflikt duhet të zgjidhet në tryezën e bisedimeve në kuadër të dialogut të paqes të udhëhequr nga BE-ja. Deri atëherë duhet shmangur përshkallëzimi për shkak të veprimeve të nxituara” ka thënë Pistorius.
Ministri gjerman ka bërë komente edhe rreth dialogut Kosovë -Serbi duke thënë se ky proces s’po arrin përparim të qëndrueshëm.
“Situata në rajon mbetet komplekse dhe ndonjëherë e tensionuar për shkak të konflikteve të ndryshme, të rrënjosura thellë dhe pjesërisht historike. Marrëdhëniet mes dy vendeve po zhvillohen ngadalë. Dialogu për normalizimin nën patronazhin e BE-së vazhdon të japë impulse të reja, por, për fat të keq, nuk arrin një përparim të qëndrueshëm. Progresi shpesh bllokohet nga mosbesimi i thellë
Nga njëra anë, kjo është e kuptueshme, sepse jo të gjitha plagët e së kaluarës janë shëruar ende. Nga ana tjetër, përparimi nuk mund të arrihet pa afrim dhe besim të ndërsjellë”, ka theksuar Ministri.
“Për mendimin tim, normalizimi i marrëdhënieve është hapi i parë drejt një të ardhmeje pozitive. Si në çdo konflikt, nuk ka kurrë vetëm një palë për të fajësuar. Të dyja palët duhet të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre të çimentuara më parë. Ua bëj të qartë të gjithëve me të cilët flas gjatë udhëtimit tim se provokimet nuk janë kurrë të dobishme. Bëhet fjalë që të gjitha palët të bëjnë një hap përpara dhe të dërgojnë shenja të dukshme gatishmërie për kompromis”, ka shtuar ai