Sot pritet të mbahet seancë e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së me fillim nga ora 21:00, ku temë diskutimi do të jetë gjendja në Kosovë. Kjo seancë është thirrur nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq dhe nga drejtori i ashtuquajturës “Zyre për Kosovë”, Petar Petkoviq. Kosova në Këshill të Sigurimit, më parë është përfaqësuar nga presidentja Osmani dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla. Megjithatë, këtë radhë Kosova pritet të përfaqësohet nga vetë kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Gjatë ditë së djeshme, Periskopi ka dërguar pyetje në Presidencë dhe në Qeveri në lidhje me pjesëmarrjen e Kurtit në KS të OBK-së, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Në kërkesën e dorëzuar, Serbia e përshkruan vendimin e Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb për pagesa, si vendim të jashtëligjshëm, duke vlerësuar se ai është “vazhdimësi e masave të dhunës brutale fizike dhe institucionale ndaj serbëve”, dhe sipas Beogradit, qëllimi është “spastrimi etnik dhe zhdukja e popullatës serbe”.
Kujtojmë se ndërkombëtarët kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit të BQK-së – sipas së cilës, euro është valuta e vetme për pagesat, që nënkupton ndalimin e përdorimit të dinarit serb.
Gjatë ditës së djeshme “një kamion me dinarë” i dërguar nga Banka Qendrore e Serbisë është ndaluar në kufi. Për këtë ka reaguar edhe zv.kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ku tha se Serbia po synon krijimin e tensioneve në Kosovë.
Deri më tani, dinarët janë dërguar në Kosovë nga Serbia përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe.