Heshtja ra në Parc des Princes për disa sekonda. Gjatë ndeshjes mes Paris Saint-Germain dhe Brest, e vlefshme për 1/16 e Kupës së Francës dhe e fituar 3-1 nga skuadra e Luis Enrique, Lilian Brassier bëri një faull shumë të keq ndaj Kylian Mbappé.
Mbrojtësi mysafir, i cili ka përfunduar në shenjester te Milanit, goditi nga pas kampionin francez në kyçin e këmbës. Një ndërhyrje që i kushtoi kartonin e dytë të verdhë dhe përjashtimin.
Në fund të ndeshjes, Brassier donte të kërkonte falje: “Ndihem fajtor, shpresoj që të mos ketë asgjë serioze. Është pjesë e futbollit: Doja të ndërhyja në top, por më iku”.
Gjithesesi Mbappé mbeti në fushë edhe pas frikës së madhe dhe e përfundoi ndeshjen rregullisht, duke çaluar për disa minuta.
Trajneri asturian deklaroi: “E vërteta është se nuk kam ndonjë lajm të sigurt, do të shohim se çfarë do të thonë mjekët. Ai mori një goditje bukur te forte në kyçin e këmbës, por arriti të përfundojë ndeshjen dhe nuk mendoj se është një gjë shumë serioze”.
Testet e para, sipas shtypit francez, dhanë rezultate “siguruese”./Informim