Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 5 shkurt 2024, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër dy personave të nacionalitetit serb Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq, të cilët po akuzohen për veprimet e dhunshme në protestat e organizuara kundër rendit kushtetues në Zveçan.
Sipas aktakuzës, të pandehurit Petroviq dhe Obrenoviq po akuzohen se më 29 maj 2023 nga ora 6:00 e deri në orët e mbrëmjes në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit e në koordinim me shumë të pandehur tjerë të nacionalitetit serb, kanë marrë pjesë aktive në grupin përkatësisht turmën e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, shkruan “Betimi për Drejtësi”.
Në aktakuzë thuhet se të njëjtit përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit, ashtu që kanë refuzuar urdhrat e ushtarëve të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës dhe refuzim të hyrjes në objektin e komunës.
E me rastin e arrestimit të tyre, aktakuza thotë se protestuesit e tjerë kanë ushtruar dhunë të pakontrolluar me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë zjarri nga të cilat janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, tre nga ta nga predhat e armëve të zjarrit
Përveç këtyre veprime, thuhet se kanë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovës, si dhe veturat e gazetarëve, të cilët kanë mbuluar ngjarjet e kësaj dite, duke përfshirë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtimin fizik në masë të madhe si dhe duke shkaktuar rrezik në shkallë të gjerë për jetën dhe trupin e shumë njerëzve dhe pasurisë.
Me këto veprime, Petroviq dhe Obrenoviq po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, nga neni 404, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Por, çfarë deklaruan të pandehurit në Polici e Prokurori?
Petroviq në deklaratën e dhënë në Policinë e Kosovës, thuhet se nuk e ka mohuar faktin se ka qenë në turmën e grumbulluar në vendin e ngjarjes në ditën kritike dhe nuk ka mohuar veprimet inkriminuese të veprës penale që i vihet në barrë.
Ndërsa në PSRK, thuhet se i njëjti pranë prokurorit të çështjes ka deklaruar se ka negociuar për marrëveshjen për pranimin e fajësisë bashkë me avokatin e tij mbrojtës, i cili ka qenë prezent gjatë gjithë kohës së negocimit.
Kurse, i pandehuri Obrenoviq në deklaratën e dhënë në Policinë e Kosovës, thuhet se ka mohuar veprimet inkriminuese të veprës penale që i vihet në barrë por pohuar se i është bashkëngjitur turmës ditën kritike i pajisur me maskë, kapelë dhe një flamur.
Po ashtu, më tej thuhet se edhe në PSRK, pranë prokurorit të çështjes i njëjti ka deklaruar se pranon përgjegjësinë që ka qenë pjesëmarrës i këtij grupi nga i cili pastaj ka rrjedhë dhuna, por nuk është pjesëmarrës direkt me dhunën e ushtruar ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
I njëjti thuhet se ka shtuar se me të kuptuar se do të bëhen protesta në Zveçan, i është bashkëngjitur masës së protestuesve.
Tutje, ai thuhet se ka deklaruar se ka kënduar këngë me përmbajtje nacionaliste, përkatësisht edhe me thënien “Kosova është Serbi”, si dhe ka shtuar se kur është nisur për në Zveçan kishte të veshur pantallonat, çizmet, xhaketën dhe një sheshir-kapelë të cilin ia kanë dhënë në hyrje të Zveçanit një grup njerëzish dhe këtë me qëllim të maskimit sepse incizoheshin nga turma e njerëzve.
Edhe i pandehuri Obrenoviq thuhet se në PSRK ka deklaruar se ka arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe me avokatin e tij mbrojtës i cili ka qenë prezent gjatë gjithë kohës së negocimit