Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se janë duke u angazhuar intensivisht për verifikimin e nënshkrimeve të mbledhura në peticionin e organizuar në komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok.
Ai gjatë një takimi me shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, tha se pas verifikimit, KQZ do të informojë të gjitha palët, përfshirë ministrinë, kryesuesit e kuvendeve komunale, kryetarët e komunave, grupet nismëtare, por edhe qytetarët dhe mediat.
Në takim u bisedua mbi angazhimin aktual të KQZ-së për harmonizimin e akteve nënligjore, me theks të veçantë rregulloreve zgjedhore me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, por edhe ndihmën e OSBE-së për KQZ-në në përgatitjen e softuerit, i cili do të shërbejë për një numër të madh të operacioneve zgjedhore.
Qytetarët në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë nënshkruar në janar 2024 peticione për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave të cilët u zgjodhën në këtë detyrë pas zgjedhjeve në prill 2023.