Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës për sa i përket moslejimit të përdorimit të dinarit.
O’Brien tha se Qeveria e Kosovës me këtë vendim e ka vënë në pikëpyetje partneritetin e saj me ShBA-në.
“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thosha, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha O’Brien në një intervistë për “Zërin e Amerikës”,
Ish-deputeti i kuvendit, Ilir Deda, tha se në diplomaci, kur dalin mesazhe të tilla, të cilat ai i quajti të rënda, kjo është faza finale e përplasjes mes të dyja vendeve.
“Nuk është lehtë që ata me ia dhënë një mesazh të tillë Kosovës, sepse ata janë munduar më së shumti që ta përmbyllin suksesshëm pavarësinë tonë. Ne po harrojmë që s’e kemi përmbyllur shtetësinë në aspektin ndërkombëtar”, tha Deda në Rubikon të Klan Kosova.
Më tej, analisti politik Deda tha se në Kosovë duhet të dihet se me superfuqi nuk ka prishje të raporteve e pastaj rregullim të tyre.
“Vendimet të cilat merren nuk janë afatshkurta, sepse një administratë e tërë e cila e ndërton një pozicion të ri nuk kthehet lehtë pas më vonë, e sidomos për Shtetet e Bashkuara”, tha ai.
Për opinionistin Ermal Sadiku, deklaratat e O’Brien ishin “të rënda dhe të çuditshme”, sidomos kur, siç tha ai, vijnë prej një personi të nivelit të O’Brien.
“Ai ka qenë prej vitit 1990 deri në vitin 2001 këshilltar i (ish-Sekretares së Shtetit, Madeleine) Albright dhe është një prej njerëzve që e njeh politikën në Kosovë e rajon më mirë se pjesa më e madhe e politikë-bërësve në Amerikë”.
“Të çuditshme, ose pa qëllim, po ia jep një konotacion anti-amerikan krejt këtij vendimi të marrë ose këtij procesi teknik për procesin bankar në Kosovë nga BQK-ja, që kjo s’ka të bëjë asgjë me anti-amerikanizëm”, tha Sadiku në Rubikon në Klan Kosova.
Ai shtoi se intervista e O’Brien është e ndjeshme, pak kërcënuese e deri diku edhe shantazhuese.
“Dhe e çuditshme në kuptimin se fjalia ‘nëse nuk na trajton si partner, nuk të trajtojmë as ne’, e kur i thua ashtu dikujt, ajo fjali vlen për secilin shtet në Evropë, jo vetëm për Kosovë. Amerika secilit shtet në Evropë dhe botë, teknikisht ia thotë të njëjtën gjë”, tha ai,
Ndërsa, analisti Vehbi Kajtazi tha se Kosova asnjëherë s’ka pasur mesazhe më të rrepta nga ndonjë administratë amerikane sesa ato të ndihmëssekretarit O’Brien.
“Sa i përket intervistës së diplomatit amerikan, unë pres që Kosova të dalë dhe t’i thotë ‘deklarata naive’, siç i kanë thënë Sekretarit Amerikan të Shtetit (Antony Blinken). Nëse e analizon mirë fjalë për fjalë këtë intervistë, mesazhe më të rrepta nuk kemi marrë asnjëherë”, u shpreh Kajtazi.
Ndërkaq, opinionisti Rrahman Paçarizi tha se serbët po kërkojnë ndihmë nga Amerika, ndërsa kosovarët, sipas tij, po “fryhen si gjela deti” para Amerikës.
“Kujt i kërkohet ndihma? Miqve! Atyre që iu kërkon ndihmë, ata të konsiderojnë mik, dhe serbët sot po kërkojnë ndihmë nga Amerika, ne po fryhemi si gjela deti para Amerikës”, tha ai.
Duke iu referuar mesazhit të Ndihmës-Sekretarit të Shtetit, James O’Brien, Paçarizi tha se “kjo është gjëja më e rëndë e cila ka mundur të na ndodhë”.
“Tjerat janë konflikte e konfrontime të cilat nuk pres të ndodhin, por në raport me Amerikën nuk e di nëse ka diçka tjetër e cila mundët t’i ndodhë Kosovës. Do të thotë, i ke humbur amerikanët si miq, dhe po konfrontohesh me ta sepse ata as që pranojnë të konfrontohen me ty”, shtoi Paçarizi.
Ai tutje në emisionin Rubikon theksoi se “nëse Kosova do ta humbiste Amerikën si partner dhe mik, kjo do të thoshte ta humbiste shtetin e vet”.
Ndihmës-Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, në intervistë ka treguar se ka pasur biseda me kryeministrin Albin Kurti para shpalljes së vendimit të BQK-së për dinarin, por “edhe një shkëmbim të shkurtër më pas”.
“Ai kuptoi shqetësimet, premtoi se do të punonte për to, por qartazi vendosi miratimin e vendimit. Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere”, theksoi O’Brien në këtë intervistë. /Klankosova.tv