Presidenti rus Vladimir Putin i ka propozuar Shteteve të Bashkuara një marrëveshje armëpushimi në Ukrainë për të ngrirë luftën, kanë zbuluar burimet ruse për Reuters.
Dështimi i marrëveshjes tregon se sa larg janë realisht dy fuqitë më të mëdha bërthamore në botë,
Burimi amerikan mohoi çdo kontakt zyrtar dhe tha se Uashingtoni nuk do të angazhohej në bisedime që nuk përfshijnë Ukrainën.
Çfarë propozoi Putin?
Në vitin 2023, Putin i dërgoi sinjale Uashingtonit publikisht dhe privatisht përmes ndërmjetësve, duke përfshirë partnerët arabë të Moskës në Lindjen e Mesme dhe të tjerë, se ishte i gatshëm të shqyrtonte një armëpushim në Ukrainë, thanë burimet ruse.
Putini kishte propozuar ngrirjen e konfliktit sipas linjave aktuale dhe nuk ishte i gatshëm të lëshonte ndonjë territor ukrainas nën kontrollin rus, por sinjali ofroi atë që disa në Kremlin e panë si rrugën më të mirë drejt një lloj paqeje
“Kontaktet me amerikanët nuk dhanë fryt,” i tha Reuters në kushte anonimiteti një burim i lartë rus i njohur me bisedimet në fund të 2023 dhe fillim të 2024 për shkak të ndjeshmërisë së situatës.
Një tjetër burim rus i njohur me kontaktet i tha Reuters se amerikanët i kishin thënë Moskës përmes ndërmjetësve se nuk do të diskutonin një armëpushim të mundshëm pa pjesëmarrjen e Ukrainës, kështu që kontaktet përfunduan në dështim.
Një burim i tretë i njohur me diskutimet tha se “çdo gjë u prish” me amerikanët. Burimi tha se amerikanët nuk donin të bënin presion ndaj Ukrainës.
Zbulimi vjen pasi presidenti amerikan Joe Biden ka shpenzuar muaj duke e shtyrë Kongresin të miratojë më shumë ndihmë për Ukrainën, por është përballur me kundërshtimin e republikanëve
Një zyrtar amerikan, duke folur në Uashington në kushte anonimiteti, tha se SHBA-ja nuk ishte angazhuar në asnjë bisedë me Rusinë, dhe se Uashingtoni kishte qenë i qëndrueshëm duke mos i shkuar prapa krahëve Ukrainës.
Një zyrtar amerikan tha se dukej se kishte bisedime jozyrtare për “Track II”, por se Shtetet e Bashkuara nuk ishin të përfshira
Një zyrtar amerikan tha se propozimi i Putinit, bazuar në atë që është bërë publike, është i pandryshuar nga kërkesat e mëparshme që Rusia të mbajë territorin ukrainas.
Zyrtari beson se ka zhgënjim në Moskë sepse Uashingtoni refuzon ta pranojë atë. Putin i tha gazetarit amerikan Tucker Carlson javën e kaluar se Rusia ishte gati për “dialog”.
Kontakte jozyrtare
Ndërmjetësuesit u takuan në Turqi në fund të vitit 2023, sipas tre burimeve ruse. Një burim i katërt diplomatik tha se kishte pasur kontakte informale ruso-amerikane nëpërmjet ndërmjetësve me iniciativën e Rusisë, por se ato nuk dukej se kishin dhënë fryte
Një zyrtar amerikan tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë kontakti jozyrtar nëpërmjet ndërmjetësve. Sipas tre burimeve ruse, sinjali i Putinit u transmetua në Uashington, ku u takuan zyrtarë të lartë amerikanë, duke përfshirë Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, drejtorin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, Bill Burns dhe Sekretarin e Shtetit të SHBA, Antony Blinken
Ideja ishte që Sullivan të fliste me këshilltarin e Putinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov dhe të përshkruante hapat e ardhshëm, tha një nga burimet ruse.
Megjithatë, kur thirrja arriti në janar, Sullivan i ka thënë Ushakovit se Uashingtoni është i gatshëm të diskutojë për aspekte tjera të raporteve, por se nuk do të diskutojë për armëpushim pa Ukrainën, ka thënë njëri nga burimet ruse
Zyrtari amerikan ka refuzuar të jap informacione për çfarëdo detaje për thirrjet e pretenduara nga Sullivan, si dhe nëse një takim i tillë me Ushakovin të jetë mbajtur.