Kryeministri Albin Kurti mori pjesë në një panel diskutimi të organizuar nga instituti “Chatham House” në Londër të Mbretërisë së Bashkuar. Aty u fol për sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Kurti fillimisht foli për progresin dhe arritjet e deritashme që tha se i ka arritur Qeveria e Kosovës, ku ndër tjerash tha edhe se “përgjegjësia e qeverisë dhe nxitja për mirëqenie sociale e kanë bërë të realizueshme integrimin e komunitetit serb”. Ai e përmendi edhe çështjen e targave e pajisjen e serbëve me pasaporta të Kosovës.
Më pas theksoi se Kosova e ndjen rregullisht kërcënimin nga Serbia. Ai tha se po rritet prezenca e Rusisë në Ballkan nëpërmjet Serbisë, dhe në këtë kontekst, tha se më urgjente se kurrë është nënshkrimi i marrëveshjes me Serbinë. Me refuzimin për ta bërë këtë, ai tha se Serbia e lë të hapur opsionin për ta pushtuar Kosovën,
“Një vend nuk mund t’i mbajë të gjithë prapa. Sipas meje, Serbia me regjimin e saj autoritar po e mban të gjithë rajonin prapa”, tha Kurti. “Serbia e njeh de jure Bosnjë e Hercegovinën, por jo de facto, po ashtu edhe Malin e Zi. Në rastin e Kosovës e kundërta është e vërtetë. Ata na njohin në masë të madhe de facto, por jo de jure”.