Mbrojtja e Haxhi Shalës, Ismet Bahtjarit dhe Sabit Januzit janë ankuar se nuk janë duke u financuar nga Ministria e Drejtësisë (MD), për të përfaqësuar juridikisht të akuzuarit gjatë procesit gjyqësorë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë. Për këtë arsye, ata gjithashtu kërkuan pezullimin e këtij procesi deri sa të zgjidhet kjo çështje.
Në parashtrimet e tij avokati i Januzit, Jonathan Elystan Reese tha se një kërkesë për financim e kishte bërë më 4 dhjetor 2023, por që deri tani nuk ka ndonjë rezultat, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Mbrojtja e Januzit ka bërë kërkesë në përputhje me kriteret e saj më 4 dhjetor 2023. Sipas kritereve, Ministria e Drejtësisë duhet të krijojë një komision për t’i dhënë përgjigje kësaj kërkese brenda 10 ditësh. Ne i kemi kërkuar vazhdimisht MD-së që të trajtojë këtë kërkesë brenda dhjetë ditësh të parashikuara dhe më pas këtë e kemi bërë përmes një korrespodencë inter-partes ku MD-ja kërkoi që ta shtyjmë këtë çështje, ndërkohë që do të zgjidhnin çështjen e mungesës së numrit të duhur të personave që do të merrnin pjesë në komision”, tha Reese.
Ai tha se Ministria e Drejtësisë iu ka dhënë disa data se kur do të mbahej takimi i këtij Komisioni, e që kjo ka zgjatur që nga dhjetori deri në javën e kaluar.
“Ne na i kanë dhënë disa data kur do të takohej ky Komision dhe herë pas here në çdo rast na kanë thënë që do të vonohen më tutje për të vazhduar gjatë gjithë dhjetorit, janari dhe shkurtit dhe deri në javën e shkuar. Ne jemi përpjekur që të vazhdojmë bashkëpunimin tonë dhe iu kemi besuar kur na kanë thënë se do të zgjidhej kjo çështje, por në fakt kjo është kosto për ne, është dështim për ne pasi edhe sot që ndodhemi këtu, nuk është na është komunikuar ndonjë vendim i ndonjë takimi…Është shtyrë vazhdimisht. Unë nuk jam në gjendje që të tregoj ndonjë afat. Unë po them se na kanë thënë që do të mbahet një takim i ri gjatë kësaj jave se a do të mbahet a jo, nuk e di.”, tha ai.
Mbrojtja e Januzit kërkoi që t’i vendoset një afat urgjent Ministrisë së Drejtësisë për këtë çështje dhe në rast që nuk bëhet atëherë çështja të dërgohet në Kushtetuese.
“Nëse ju do të bëni këtë gjë dhe do t’i vendosni Ministrisë së Drejtësisë një afat urgjent dhe në qoftë se nuk zbatohet ky afat, mua më duket se rezultati do të ishte që këtë çështje ta dërgojmë në Dhomën Kushtetuese. Edhe në këtë rast do t’i kërkonim trupit gjykues që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejtë të jetë e mundur duke iu referuar apo duke çuar çështjen në Dhomën Kushtetuese nga vetë trupi gjykues me qëllim që ato të mund ta ndjekin çështjen e moszbatimit të angazhimit që ka MD-ja sipas ligjit”, tha Reese.
Avokatja e Ismet Bahtjarit, Felicity Gerry KC, tha se e mbështetë parashtrimin e mbrojtjes së Januzit.
“Dua ta mbështesë parashtrimin e z.Reese dhe të bëjë të njëjtën kërkesë në emër të Z.Bahtjari. Ne jemi në të njëjtën gjendje. Kemi bërë një numër kërkesash pranë Ministrisë së Drejtësisë për t’i dhënë përgjigje kërkesës sonë për financim dhe kur u bë e qartë që ky takim i Komisionit nuk do të mbahej gjatë javës së shkuar, unë e njoftova vetë zyrën administrative se kishte një problem. Të njëjtën gjë bëra edhe me ZPS-në”, tha Gerry.
Ajo potencoi se nuk ka marrë asnjë e-mail që nuk do të miratohen fondet, por që është informuar se duhet të formohet një komision.
Avokatja Gerry tha se është duke kërkuar edhe një kontroll mjekësor për të mbrojturin e saj për të parë nëse ai është në gjendje që të ndjek këtë proces gjyqësor në DhSK. Kurse, shtoi se këtë seancë është duke e ndjekur përmes video-lidhjes për shkak të mungesës së financimit.
Mbrojtja e Bahtjarit kërkoi që t pezullohet kjo konferencë me qëllim që Ministria e Drejtësisë të përgjigjet në bazë të kërkesave që iu kanë bërë.
“Kërkoj nga ju që ta pezulloni këtë konferencë të sotme me qëllim që Ministria e Drejtësisë të përgjigjet në bazë të kërkesës që kemi bërë, kërkesës që ka bërë z.Resse dhe ne të vijmë këtu nesër dhe të kemi përditësimin e duhur. Ndërkohë mund të them që nuk është e drejtë, ne kemi nevojë për ndihmën e trupit gjykues që të respektohen të drejtat e z.Bahtjari për një gjykim të drejtë”, tha Gerry KC.
Ndërsa, avokati i Haxhi Shalës, Toby Cadman tha se nuk do t’i përsërisë gjërat që kanë thënë dy parafolësit e tij lidhur me komunikime.
Cadman potencoi se kjo çështja e financimit nuk do të ndikojë në përfaqësimin juridik të Haxhi Shalës.
“Edhe ne jemi të prekur në të njëjtën mënyrë. Ajo që mund të them është se unë i kam premtuar Z.Shala se pavarësisht financimit, ne do të vazhdojmë ta përfaqësojmë atë. Sigurisht, që kemi nevojë për një vendim nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Ne e kemi diskutuar me z.Shala çështjen e sigurimit të fondeve përmes DhSK-së në qoftë se Ministria nuk jep përgjigjen e duhur. Por, z.Shala është i paraburgosur për një periudhë prej dy muajsh dhe nuk duam që të ketë vonesa me tej të kësaj çështje. Sa i përket hetimeve afatgjate që do t’i bëjë, pala mbrojtëse sigurisht që do të preket nga kjo çështje e financimit”, tha Cadman.
Ai tha se ia ka bërë të qartë Shalës se kjo çështje e financimit nuk do të prek faktin se do ta përfaqësojnë në këtë proces, pasi kanë detyrime të cilat do t’i përmbushin.
Ndërsa, prokurorja Jasmine Shahabbudin nga ZPS kundërshtoi kërkesat për pezullim të procedurës.
“ZPS-ja kundërshton çdo kërkesë për të pezulluar apo vonuar procedurën bazuar në këtë problemin e financimin që u shtjellua sot në hollësi. Mendoj që pika kryesore këtu është që DhSK-ja ka një kornizë funksionale gjithëpërfshirëse për të trajtuar çështjet e përfaqësimit dhe financimit”, tha Shahabbudin.
Kurse, Gerry KC kërkoi sërish që ky proces të pezullohej për një afat prej një muaj