Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avullah Hoti ka reaguar pas deklaratave të Ndihmës sekretarit Amerikan të Shtetit, James O’Brien, se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit.
O’Brien ka thënë se me këtë qëndrim, qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara
Hoti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se deklarimet e Ndihmës-sekretarit Amerikan të Shtetit duhet të merren me shumë shqetësim.
“Marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në janë ekzistenciale. Kush nuk e kupton këtë nuk e meriton të jetë në krye të institucioneve”, ka shkruar Hoti, transmeton Telegrafi.
Më tej ai ka thënë se “bartësit e institucioneve të vendit e kanë për obligim të mirëmbajnë këto marrëdhënie të pacenueshme”
“Keq. Në prag të përvjetorit të pavarësisë, do të duhej të merrnim mesazhe urimi”, ka shkruar Hoti
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, O’Brien ka thënë se me këtë qëndrim [për dinarin serb], qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.
“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thosha, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, ka thënë ai