Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në takimin dhe tryezën e diskutimit me titull “Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë 2024” të organizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Në fjalën e tij ai tha se ky regjistrim është më shumë se numërim; “është angazhimi ynë për të adresuar nevojat e qytetarëve pa dallim dhe baza për vendime të cilët do të ndikojnë në të ardhmen e Kosovës”.
“Regjistrimi siguron të dhëna të sakta dhe të plota demografike, socio-ekonomike dhe gjeografike, të cilat janë thelbësore për vendimmarrjen e informuar në çdo nivel. Këto statistika ndihmojnë në orientimin e politikave dhe shërbimeve për të mirën e qytetarëve, duke rritur transparencën dhe llogaridhënien në demokraci. Ato gjithashtu ndihmojnë në alokim më efikas të burimeve për shërbime që i ofron sektori publik”, u shpreh kryeministri.
Sipas Zyrës së Kurtit, ai e rikonfirmoi angazhimin e Qeverisë ndaj procesit të Regjistrimit të Popullsisë, që është thelbësor për një vendimmarrje të informuar, për nxitjen e drejtësisë sociale dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
“Qeveria e ka ndarë buxhetin e nevojshëm, ka ofruar hapësira për trajnime dhe ka siguruar logjistikën, duke u angazhuar në bashkërendim ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për të garantuar një regjistrim cilësor dhe gjithëpërfshirës. Vetë kryeministri, brenda një periudhe të shkurtër prej rreth 1 muaj e gjysmë, ka vizituar dy herë ASK-në ku është mirëpritur nga drejtori ekzekutiv, ka ndjekur nga afër përgatitjet dhe ka ofruar mbështetjen personale për një proces i cili tejkalon ciklet elektorale për nga vlera dhe rëndësia që ka”, njofton ZKM