Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në të cilën u zhvillua debati mes Kosovës dhe Serbisë sa i takon vendimit për dinarin serb, ishte një mbledhje e pakuptimtë.
“Nuk është Këshilli i Sigurimit, ka kohë që s’është dhe që s’duhet të bëhet vendi ku diskutohet Kosova apo Kosova diskuton çështje e saj dhe kundërshtitë e saj me Serbinë. Kosova është si Serbia, një shtet i pavarur, do apo s’do Serbia, e njohin apo s’e njohin ata që ende nuk e njohin dhe çështjet që ka me Serbinë, Kosova i diskuton si e barabartë dhe duhet të diskutojë si e barabartë në tryezën e dialogut dhe t’i zgjidhë tryezën e dialogut”, tha Rama në CONTEXT të ATV.

Sipas tij, kjo mbledhje ishte kthim mbrapa për Kosovën
“Nuk ka asnjë kuptim që Kosova të thirret atje dhe të shkojë atje dhe të përplaset atje, si një realitet që ca e konsiderojnë shtet, ca nuk e konsiderojnë shtet. Është nonsens”, tha Rama.