Ganimete Musliu, kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka thënë të mërkurën se ky komision parlamentar ka vendosur që ta ftojë në raportim drejtorin e AKI-së, Petrit Ajetin.
Kjo për çështjen e raportimeve në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ku përmes burimeve më 10 shkurt thuhej se “ishte planifikuar një atentat ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti teksa qëndronte në Maqedoninë e Veriut”.
Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kishin demantuar këtë raportim “duke thënë se nuk ka pasur një planifikim të tillë në territorin e tyre”.
Këto Musliu i quan si “kundërthënie publike”, duke kërkuar që drejtori i AKI-së t’ia sqarojë publikut përmes raportimit para komisionit parlamentar
“Komisioni kërkoi që ta ftojmë drejtorin e AKI-së në takim për të na njoftuar rreth rastit të quajtur atentat ose tentim atentat ndaj kryeministrit të Kosovës. Kështuqë deri të mërkurën e ardhshme drejtori i AKI-së do të jetë i përgatitur e do të na vije në komision. Ku do të shtjellojmë komplet çështjen çfarë në të vërtetë ka ndodhur në këtë rast, duke pasur parasysh që ka pasur kundërthënie publike, ne jemi të thirrur që ta themi atë që është vërtetë zyrtare dhe çfarë është në të mirë të sigurisë së Kosovës”, ka thënë Musliu.