Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier foli në një konferencë për media për shenjat që la në partneritet mosdëgjueshmëria e Qeverisë së Kosovës për çështjen e dinarit.
Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien kërkoi të martën tërheqje të menjëhershme nga veprimet për zbatimin e rregullores së re që e heq dinarin serb nga përdorimi. Qeverisjen kosovare e quajti të dobët dhe të paaftë për t’iu shërbyer qytetarëve dhe për ta ruajtur partneritetin. Tha se Qeveria e Kosovës e ka vënë në pikëpyetje partneritetin me aleatin më të afërt, ndërsa theksoi se “nëse nuk trajtohemi si partner, nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”.
Hovenier u mundua të shpjegojë se sa i rëndë është kjo që O’Brien e tha në intervistën për Zërin e Amerikës, duke kujtuar përveç tjerash, se ai është shefi i tij dhe i të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Për diplomatin i cili ka mbi tri dekada që shërben në diplomacinë amerikane, Hovenier theksoi se e bën punën që Richard Holbrooke e bënte në vitet ’90, duke e negociuar Marrëveshjen e Dejtonit e cila i dha fund luftës në Bosnjë e Hercegovinë,
“Është shumë e rrallë për Ndihmës Sekretarin e Shtetit – Jim O’Brien tani por që t’ua kujtoj se sa e rëndësishme është ajo punë kur ne po e negocionim Marrëveshjen e Dejtonit, që Ambasadori Holbrooke e mbante në atë kohë si Sekretar i Shtetit për Europën. Pra, Jim O’brien tani mban punën që Rich Holbrooke e mbante në mesin e viteve ’90 duke e bërë Dejtonin. Pra, për atë individ, shefin e Escobarit, shefin tim, ta jepte një intervistë me tonin dhe përmbajtjen që ai dha… Kjo është shumë e rrallë”, tha Hovenier.