Reforma zgjedhore nuk po jep rezultat, por kjo nuk i ka penguar minoritarët në Shqipëri t’i drejtojnë komisionit kërkesa specifike që hapin një debat të gjerë. Pakica kombëtare maqedonase e vllehe në Korçë, kërkuan vende të posaçme për minoritetet në Kuvend. Një kërkesë e ngjashme ka ardhur edhe nga organizata të diasporës.
Minoritetet në Shqipëri kërkojnë që të kenë vende të rezervuara për ta në Kuvend. Sipas tyre, çdo pakicë kombëtare duhet të ketë disa karrige në Kuvend për përfaqësuesit e saj, numri i të cilave të shpërndahet sipas madhësisë së minoritetit në nivel kombëtar
Kërkesa është artikuluar nga Korça, aty ku ka prezencë të dukshme të komunitetit grek, maqedonas, vlleh romë dhe egjiptian.
Është thelbësore që Reforma Zgjedhore të zbatohet në një proces gjithëpërfshirës dhe konsensual dhe të adresoj çështjen e përfaqësimit të minoriteteve me vende të garantuara në parlament duke u siguruar atyre një zë të dëgjueshëm dhe efektiv. Kjo do të lejojë përfaqësuesit e tyre të mbrojnë dhe adresojnë në mënyrë efikase problemet e minoriteteve.
Minoritarët thonë se sistemi zgjedhor aktual, proporcional rajonal, nuk adreson nevojat e një shoqërie të larmishme dhe sjellin shembuj të shteteve që ju dedikojnë minoriteteve kuota të caktuara në Kuvend.
“Ky sistem është diskriminues dhe nuk garanton përfaqësim të drejtë për minoritetet, të cilat janë të shpërndara në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, jo vetëm në zona të veçanta. Shumë shtete evropiane kanë adoptuar modele të suksesshme për përfaqësimin e minoriteteve në parlament, si në Kroaci, Slloveni, Rumani, Hungari, Kosovë, Federatën Ruse dhe vendet skandinave. Këto shembuj duhet të shërbejnë si inspirim për ndryshime pozitive në sistemin tonë zgjedhor.”
Kuota përfaqësimi ka kërkuar edhe diaspora, aktivistë të të cilës Komisioni i Reformës Zgjedhore do t’i dëgjojë javën e ardhshme. Megjithëse palët janë larg dakordësisë që emigrantët të votojnë në vitin e ardhshëm, dy kampet kryesore kanë qenë kundër kuotave specifike për diasporën dhe kanë mbështetur idenë që vota e tyre të shkojë në qarkun e tyre të origjinës. /abcnews.al