Rikthimi i “Vatrës” në Boston, ngritet flamuri i Kosovës për pavarësi, flet kryetari i degës atje

by Nexhat

Vatra, shoqata e shqiptarëve në Amerikë, e krijuar në vitin 1912, e cila kishte lindur me misionin historik të lobimit në institucionet e SHBA-së për të drejtat e shqiptarëve, është kthyer me aktivitete me rastin e 16 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Shoqata iu kthye aktivitetit në Boston të SHBA-së edhe me iniciativë të ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili pothuajse çdoherë kur e vizitoi Amerikën, u ndal të shihte se çfarë po bënte “Vatra”.

banner

Suharekasi Mentor Maksutaj, kryetar i Vatrës në Boston dje e bëri hapjen e ceremonisë së ngritjes së flamurit të Kosovës në sheshin e Bashkisë së Bostonit, duke kujtuar kohët e vështira ndër vite të popullit të Kosovës nën regjimin serb. Ai e falënderoi edhe kryetaren e Bashkisë së Bostonit, Michelle Wu, për të cilën tha se e mundësoi ngritjen e flamurit të Kosovës.

Flamurin e Kosovës e bekoi peshkopi shqiptar Theofan Koja.

Në fjalimin e tij, Maksutaj tha se “pa sakrificën e shumë patriotëve ndër vite dhe luftës se UÇK-së e dëshmorëve të saj, me në krye komandantin legjendar Adem Jashari e familjes së tij, Kosova nuk do ishte e pavarur”.

Maksutaj në një intervistë për Kanal 10 tha se do të mbajnë shumë aktivitete dhe se ka shumë dëshirë nga shqiptarët në SHBA që të bëjnë më shumë për Kosovën.

“Do t’i bashkojmë të gjithë forcat e do të bëjmë shumë më shumë se ç’kemi bërë deri tash”, tha ai.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe ish-koloneli i Ushtrisë Amerikane z.Andrew Lawlor i cili për dia vjet shërbeu si ushtar në Kosovë.

Ish-koloneli, tash avokat në Masachusetts, në fjalimin e tij tha se ”shërbimi ushtarak në Kosovë, mbetën ndër kujtimet më të bukura të jetës së tij, duke kujtuar edhe vizitat në shkollat fillore atje apo brenda familjeve shqiptare”.

Gjithashtu, pjesë e ceremonisë ishin edhe përfaqësuesit e organizatave tjera shqiptare që veprojnë prej vitesh në Amerikë, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në organizimin e komunitetit shqiptar në Amerikë.

Vatra e themeluar prej shqiptarëve si Fan Noli e Faik Konica, kishte funksionuar edhe si njëfarë qeverie shqiptare në mërgim. Kjo shoqatë i kishte dërguar Nolin dhe Konicën në Europë për të avokuar për interesat kombëtare të Shqipërisë gjatë Luftës së Parë Botërore.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy