Në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët akuzohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit, më 20.02.2024 ka vazhduar dëshminë Hajrush Kurtaj, ish-komandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami”.
Kurtaj dëshminë e kishte nisur më 01.02.2024
Dëshmitari Kurtaj tregoi se ishte caktuar komandant i Brigadës 162 që nga 14.05.1999 deri më 11.06.1999, kurse për caktimin e tij në këtë pozitë nuk kishte pasur një urdhër me shkrim, por kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Agim Çekun.
Ai sqaroi se pas vrasjes së komandantit Qamil Ilazi, i njohur si komandant “Bardhi”, ishte caktuar si komandant ngase ishte e nënkuptueshme sepse kishte qenë zëvendës i tij.
“Duhet ta vazhdojmë luftën ashtu siç e kemi fillu” – i kishte thënë Agim Çeku dëshmitarit përmes telefonit sipas dëshmisë së këtij të fundit
Dëshmitari deklaroi se në librin që e ka shkruar lidhur me luftën ka bërë zmadhime dhe zbukurime.
“E kam thënë edhe gjatë hetuesisë edhe po e them prapë, librin tim e kam shkru ashtu qysh kam dashtë, jo qysh kanë qenë. Për arsye se çdo libër gjërat rriten , hijeshohen… Është e saktë që është në librin tim, mirëpo është e zmadhume, është e zbukurume, ashtu qysh e ban çdokush” – tha dëshmitari Kurtaj.
Ai tha se librin e ka shkruar në këtë formë për arsye të gjeneratave të ardhshme për ta treguar luftën qysh ka qenë.
“Për arsye se librin kemi dashtë me shkru për gjeneratat e ardhshme me tregu pak ma mirë, ma të kompletune sesa ka qenë. Sepse në ato raste lufta jonë nuk ka pasë mundësi t’i bëjmë këto shkrime, këto… siç e kam paraqitur këtu” – shtoi ai
Në të njëjtën seancë më 20.02.2024 në sesionin e paradites dha dëshminë një dëshmitar i Prokurorisë, i koduar si Dëshmitari W00498, për të cilin kur u thanë të dhënat identifikuese, gjyqtari Charls Smith III mbylli seancën për publikun.
Kurse ajo çka u bë e ditur për këtë dëshmitar gjatë seancës është se i njëjti është pjesë e Ministrisë së Brendshme serbe, dhe punon në sektorin e të huajve-emigrantëve.
Avokati Ellsi, i cili mbron Jakup Krasniqin, e pyeti dëshmitarin nëse punëdhënësi i tij e kishte këshilluar të jepte emër tjetër në këtë seancë, por dëshmitari e mohoi një gjë të tillë.
Sipas pretendimeve të dëshmitarit, familja e tij, përfshirë nëna, babai, kunata, vëllai dhe nipi i porsalindur ishin rrëmbyer nga pjesëtarët e UÇK-së në korrik të vitit 1998 në Rahovec
Ai tha se personalisht nuk e ka parë rrëmbimin që i kishte ndodhur familjes së tij kurse gjithë ngjarjen ia kishte treguar nëna e tij, tashmë e ndjerë.
Dëshmitari tha se kur nëna e tij e kishte parë Jakup Krasniqin në televizor në gusht-shtator të vitit 1998, kishte thënë se “ky është personi i cili na ka marrë të dhënat”, kurse avokati Ellis i tha dëshmitarit se nëna e tij asnjëherë nuk e kishte përmendur Jakup Krasniqin në deklaratat e saj si personin që i kishte marrë të dhënat në vendin ku po mbaheshin.
Jakup Krasniqi ishte prezent në këtë seancë përmes video-lidhjes.
Aktakuza fillestare kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023
Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.
Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse. Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.
Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjykatësit Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénawl Mettraux dhe Fergal Gaynor