“Javët” e Macronit dhe “45 ditët” e Lutfi Hazirit si afat për zbatimin e marrëveshjeve dhe Asociacionin

by Nexhat

Letrat e urimit për 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës që mori presidentja Vjosa Osmani nga liderët e vendeve të përfshira më intensivisht në dialogun Kosovë-Serbi u shoqëruan me paragrafë që nxisin Kosovën të përparojë më shumë në këtë proces. Më i drejtpërdrejtë në këtë ishte presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili përmendi edhe afate kohore.

Nuk dha një datë të caktuar, por presidenti francez paralajmëroi se “javët e ardhshme” duhet të ketë rezultate konkrete nga ana e Kosovës

“Javët e ardhshme do të jenë vendimtare për zbatimin e të gjitha dispozitave të marrëveshjes Bruksel-Ohër, duke përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e cila në veçanti përfshin organizimin e zgjedhjeve te reja lokale me pjesëmarrjen e serbëve. Unë shpresoi që Kosova të marrë vendimet e guximshme që janë të nevojshme dhe që do t’i mundësojë të përparojë në trajektoren e saj europiane”, ka shkruar Macron në letrën drejtuar Osmanit për 17 shkurt.

Ai u përpoq ta përshkruajë edhe sfondin e ngjarjeve në botë për të bërë me dije se krerët kosovarë duhet të nxitojnë

“Sfidat për kontinentin tonë do të jenë të shumta në vitin 2024, derisa lufta e agresionit nga Rusia po vazhdon në Europë dhe stabiliteti i Lindjes së Mesme po kërcënohet seriozisht. Në këtë kontekst shumë të pasigurt ndërkombëtar, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës përbën një sfidë parësore”.

Meqë Macron nuk dha një datë konkrete, nënkryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Lutfi Haziri, doli me një numër ditësh sa ka afat Kosova, sipas tij.

“BE-ja dhe SHBA-ja janë mobilizuar me mbyllë këtë çështje të obligimit të Kosovës me ndihma të mëdha njerëzore, financiare edhe humane për 45 ditë dhe Kosova me marrë kreditin e madh, sepse Serbia obligohet me marrë veprime”, ka thënë Haziri në Tëvë 1.

Për heqjen e masave ndaj Kosovës, Haziri ka thënë se Borrell e Lajçak janë angazhuar për heqjen e masave ndaj Kosovës, por që nuk kanë gjetur mbështetje nga partnerët.

Ai duke komentuar raportet e Kosovës me aleatët ndërkombëtarë sidomos pas vendimeve të fundit të Qeverisë për çështjen e dinarit, tha se Bashkimi Evropian e ka vendosë Kosovën në marrëdhënie të kufizuara, derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kufizuar funksionarët qeveritarë.

Haziri tha se aleatët ndërkombëtarë tashmë janë duke parë mundësinë nëse do të ketë zhvillime pozitive nga ana e Kosovës në javët në vazhdim, pasi, sipas Hazirit, nëse ndodh e kundërta atëherë do të hyjnë në fuqi pakoja e dytë e masave ndëshkuese për Kosovën.

Për çështjen e kohës që ka në dispozicion Kosova për të bërë progres në procesin e dialogut e kishte potencuar edhe presidentja Vjosa Osmani.

“Siç e dini nuk ka mbetur edhe shumë kohë për shkak se…zotëri Lajçak ka edhe pak kohë sepse siç e dini janë edhe zgjedhjet në Bashkimin Europian, pas zgjedhjeve pastaj janë emërimet e reja të komisionerëve, përfshirë edhe të përfaqësuesve të lartë. Unë s’mund të paragjykoj se kush do të jenë ata, por si rregull mandati i Lajçakut është edhe disa muaj, deri diku në verë”, tha Osmani

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy