Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq është frikësuar ta duartrokas fjalimin emocional e të fortë të gruas së Alexey Navalny, i cili vdiq në burg nën regjimin e Vladimir Putinit.
Menjëherë pasi u raportua për vdekjen e opozitarit të Putinit, Julia Navalnyt iu siguria hapësira për të folur në Konferencën e Sigurisë në Munih. Ajo ishte e guximshme në fjalim dhe pa frikë drejtoi gishtin kah Putini për vdekjen e burrit të saj në një burg në veri të Moskës.
“Dua që Putini dhe gjithë rrethi i tij të dinë se do të mbajnë përgjegjësi për gjithçka që i kanë bërë vendit tonë, familjes sime. Dhe kjo ditë do të vjen shumë shpejt”, ka thënë ajo.
Këtij fjalimi i duartrokitën të gjithë në shenjë mbështetjeje për atë që po kalonte ajo, por aleati i Putinit edhe në këtë rast tregoi mbështetjen për të. Vuçiq ishte në rendin e parë të publikut.
Më pas Vuçiq në Serbi foli për këtë ndodhi duke dhënë si pretekst se në fillim nuk e njohu.
“Papritur, një grua mu ul afër dhe unë nuk e kisha idenë se kush ishte ajo”, tha Vuçiq.
Ai tregoi edhe arsyen e vërtetë se pse nuk e duartrokiti, duke thënë se druhej që do ta shpallte Putinin vrasës.
“Do të kishin thënë Vuçiq e shpalli Putinin vrasës nëse do të kisha duartrokitur pjesën që Putini e vrau”, tha Vuçiq.
Vuçiq tha se ai shkon në takime ndërkombëtare për të luftuar për shtetin e tij, duke shtuar se pret se “do të ketë më shumë presion ndaj Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë”.
Serbia ka raporte të mira me Rusinë dhe pavarësisht thirrjeve të faktorit ndërkombëtar që të vendosë sanksione ndaj Moskës për shkak të luftës në Ukrainë, Beogradi ka refuzuar që të sanksionojë Rusinë.
“Nuk jam më i mençur se të gjithë të tjerët në botë që dinë gjithçka paraprakisht. Kjo u përket analistëve politikë, por jo një presidenti të shtetit. Por, pozicioni do të jetë më i vështirë për ne, nuk kam dyshim”, tha Vuçiq.
Familja e Navalnyt ka akuzuar Rusinë se po e fsheh trupin e tij duke mos lejuar ta shohë atë as nëna e tij.
Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny, ka vdekur teksa ndodhej në burg. Pavarësisht të qenit prapa grilave, mbi bazën e akuzave që u panë gjerësisht si të motivuara politikisht, Navalny foli vazhdimisht kundër presidentit rus, Vladimir Putin, dhe pushtimit të Ukrainës nga ana e tij. Për më shumë se një dekadë, Navalny udhëhoqi hulumtime kundër korrupsionit e protesta politike, dhe garoi për post publik. Ai ishte burgosur pas kthimit të tij në Moskë, më 2021, pas shërimit në Berlin, ku ishte shtruar për helmim me atë që disa laboratorë perëndimorë konstatuan se ishte agjent nervor i nivelit ushtarak. Aleksei Navalny ishte 47-vjeçar./TheGeopost