Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se “PD nuk do të marrë pjesë nesër në seancë plenare, pasi nuk mund të pranojë amnistinë e të dënuarve për korrupsion”.
Në një deklaratë për medie, Basha u shpreh se “qeveria ka propozuar të amnistojë zyrtarët e korruptuar, të dënuar apo nën hetim nga SPAK dhe GJKKO”.
“Ditën e djeshme janë përvijuar hijet e një skandali të përmasave kombëtare, dhe për investimin e partnerëve edhe ndërkombëtare. Qeveria e Edi Ramës ka propozuar të amnistojë zyrtarët e korruptuar, të dënuar apo nën hetim nga SPAK dhe GJKKO”, tha Basha.
Sipas tij, “është skandaloze të përdorësh amnistinë penale, e cila kryhet për arsye humanitare ndaj një kategorie të dënuarish për vepra të thjeshta, që të nxjerrësh nga burgu apo anullosh hetimet për zyrtarët e korruptuar të Edi Ramës”.
“Kjo nuk është asgjë më pak sesa një ndërhyrje tek gjyqësori dhe tek Reforma në Drejtësi”, u shpreh Basha.
Basha u shpreh se “ndërkohë që vendoset theksi te fundi i pandëshkueshmërisë, mesazhi që jep Rama dhe qeveria është që ata që i dënon gjykata i liron qeveria me votat në parlament”.
Por si duket ky nuk është vendimi përfundimtar i Bashës pasi e ka lënë një derë për të negociuar nëse pranohe propozimi i PD për ta falur protestuesit.
“Padiskutim është pritshmëria jonë që askush prej nesh të mos bëhet patericë e këtij akti korruptiv dhe kriminal që synon lirimin e zyrtarëve të korruptuar, të hetuar, nën hetim, të akuzuar apo të dënuar nga gjykata kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nëse ka një tërheqje nga ky qëndrim i papranueshëm dhe skandaloz dhe nëse propozimet tona për amnistimin pa kusht të të gjithë protestuesve do të pranohen, sigurisht Partia Demokratike në funksion të interesit të mirë publik dhe në transparencë të plotë, do të rishikojë vendimin e saj”, theksoi ai.