Tregu i transferimeve të verës premton të jetë emocionues dhe një nga emrat në buzët e të gjithëve është sulmuesi nigerian Victor Osimhen. Me konfirmimin se ai do të largohet nga Napoli në fund të sezonit, sipas deklaratave të presidentit Aurelien De Laurentiis, të gjithë sytë janë te shkuarja e tij në Ligën Premier.
Nigeriani, i cili preferon një kalim në Angli në krahasim me ligat e tjera, ka ngjallur interesimin e Chelseat, të cilët po e vlerësojnë seriozisht mundësinë e aktivizimit të klauzolës së tij të lirimit prej 130 milionë euro.
Kontaktet mes klubit anglez dhe lojtarit kanë nisur prej muajsh dhe përflitet se atij do t’i ofrohet një kontratë shumëvjeçare, ndoshta shtatëvjeçare, me një pagë të përmirësuar në krahasim me situatën e tij aktuale te Napoli
Për Osimhen, një lëvizje te Chelsea do të thoshte të ndiqte gjurmët e idhullit të tij, Didier Drogba. Megjithatë, rruga për në Stamford Bridge mund të mos jetë aq e thjeshtë, me PSG-në gjithashtu në garë për shërbimet e tij.
Pavarësisht zërave që e lidhin atë me klubin francez, kohët e fundit nuk ka pasur kontakte mes përfaqësuesve të lojtarit dhe skuadrës së Ligue 1. PSG, nga ana e saj, ka objektiva të tjera në mendje, si anësori portugez Rafael Leao si zëvendësues i mundshëm i Mbappes, i cili pritet t’i bashkohet Real Madridit.
Përveç interesimit për Osimhen, PSG po kërkon të paktën dy mesfushorë, me Bernardo Silva si objektivin kryesor dhe një mbrojtës, me Leny Yoro në krye të listës së preferencave të tyre. Me rritjen e konkurrencës dhe bisedimet në vazhdim si me Chelsean ashtu edhe me PSG-në, javët e ardhshme premtojnë të qartësojnë të ardhmen e sulmuesit të talentuar nigerian.