Një aksident që ndodhi në Komunën e Vushtrrisë këtë të mërkurë rezultoi me dhënien e ndihmës emergjente për Arton Hasanin nga ky qytet.
Mirëpo, jo për shkak të lëndimeve të pësuara me veturë, por nga rrahja që pësoi prej zyrtarëve policorë që e dërguan në stacion për marrjen e deklaratës
Të paktën, kështu pretendon Kadri Hasani, xhaxhai i të aksidentuarit që bisedoi në telefon me T7.
“Ka ndodh një aksident i vogël. I ka ra dikush nga prapa këtij, një femen. Edhe skanë mujt me mu marr vesh. E kane thirr policinë. Kur ka ardhë policia, ajo femna ja ka dhanë telefonit një polici e ai ka fol me dikë. Pastaj kane shku ne stacion. Kur kane shku ne stacion, e kane ngreh për krahu. Deri sa ka pas kamera, janë rujt. Djali ka probleme shëndetësore. Si e kane shti brenda, kanë përdorë dhunë fizike ndaj tij. Me gjunjë tu i sjell në brinjë, gati ja kanë thy. Ai ka përfundu në emergjencë tani.”
Sipas tij, tash zyrtarët policorë për t’u arsyetuar po thonë se i njëjti ka rezistuar.
T7 ka kontaktuar edhe zyrën për Informim të Policisë në Vushtrri, por të njëjtit kanë thënë se nuk kanë asnjë informacion zyrtar për këtë rast.