Në vazhdim të dëshmisë së tij, të enjten në Dhomat e Specializuara të Kosovës, dëshmitari Hajrush Kurtaj ka folur për hierarkinë raportuese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në këtë pjesë të seancë, dëshmitari është marrë në pyetje nga gjyqtari Guénaël Mettraux, i cili u fokusua të hierarkinë raportuese duke filluar nga Policia Ushtarake e Brigadës 162, deri të Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”
Gjyqtari Mettraux pyetjet i ka fokusuar në bazë të intervistës së dëshmitarit dhënë për ZPS-në, në dokumentet e publikuara në librin e tij dhe në përgjithësi për librin.
I pyetur se a ishte Xhabir Elezi komandant i Policisë Ushtarake të Brigadës 162, dëshmitari tha se në bazë të atij dokumenti po
“Ka qenë kompetencë e Komandantit të Brigadës dhe unë nuk e kam vendosur në atë detyrë”, tha dëshmitari Kurtaj.
Gjyqtari Mettraux pasi e lexoi një deklaratë të dëshmitarit dhënë për ZPS-së, ku ai kishte thënë se Xhabir Elezi i raportonte Qamil Iliazit (Komandant i Brigades 162 në Kaçanik), e pyeti se a i qëndron kësaj deklarate.
“Mund të kem thënë, megjithatë prapë po e përsëris, kompetenca e mia nuk kanë qenë me ditë se kujt-kush i raporton”, tha Kurtaj.
Kurse, dëshmitari u ballafaqua edhe me një deklaratë tjetër të dhënë për ZPS-në, ku sipas gjyqtarit në pyetjen se kujt i raporton Komandanti i Zonës, dëshmitari ishte përgjigjur se ai nuk ka qenë komandant Zone, por normalisht i raporton Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
Lidhur me atë përgjigje, dëshmitari tha se ka mundur të jetë vetëm një supozim i tij dhe se ai nuk mund ta konfirmojë një gjë të tillë.
“Nuk muj me konfirmu, derisa nuk kam marrë pjesë nuk muj me konfirmu që është ashtu”, tha dëshmitari.
I ballafaquar edhe me pjesë tjera që ka shkruar në librin e tij lidhur me hierarkinë e UÇK-së, dëshmitari ka thënë se ato kanë qenë vetëm supozime të tija, por nuk ka pasur njohuri.
Paraprakisht, kundërpyetje për dëshmitarin Kurtaj pati prokurorit James Pace, i cili u fokusua tek një foto dhe një deklaratë e mëhershme e dëshmitarit të dhënë si përgjigje për mbrojtjen e të akuzuarve.
Gjatë dëshmisë së tij, Kurtaj thuhet ka thënë se për shkaqe sigurie nuk kanë përdorur telefona mobil dhe se ai nuk ka pasur.
Ldhur me këtë deklaratë, prokurori Pace e ballafaqoi dëshmitarin me një video ku shihen tre ushtarë të UÇK-së, njëri nga ta dëshmitari, duke përdorur një telefon mobil.
Për këtë, Kurtaj tha se telefonin e kishte marrë për përdorim nga një civil, për të biseduar me familjet e tyre.
Kurtaj: Nuk kam biseduar me Jakup Krasniqin për referencat e përdorura nga libri i tij
Kurtaj tha se nuk ka biseduar me Jakup Krasniqin lidhur me referencat e marra nga libri “Kthesa e Madhe” dhe të përdorura në librin e tij.
Këtë deklarim, Kurtaj e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të Krasniqit, avokatit Aidan lidhur me referencat e marra nga libri i Jakup Krasniqit “Kthesa e Madhe”.
Me pas, avokati Ellis ia prezantoi dëshmitarit dy rregulla të UÇK-së, që ai i ka publikuar në librin e tij, njëra prej tyre rregullonte dukjen e ushtarëve të rregullt të UÇK-së dhe ushtarëve rezervë.
Sipas kësaj rregullore, ndër të tjera ushtarët duhet të ishin me flokë të shkurtra dhe të rruar.
Në vazhdim, avokati ia prezantoi një foto të zonës ku ka vepruar dëshmitari, e në të cilën shiheshin disa ushtarë të UÇK-së me flokë dhe mjekra të gjata.
Në pyetjen e avokatit Ellis se a nënkupton kjo që rregulloret nuk janë respektuar, dëshmitari e pohoi një gjë të tillë..
Më pas, edhe avokati Ellis përfundoi me marrjen në pyetje të dëshmitarit Kurtaj.
Kurtaj: Gjatë periudhës 1998-1999, asnjëherë nuk e kam takuar Jakup Krasniqin
Kurtaj tha se asnjëherë nuk e ka takuar Jakup Krasniqin gjatë periudhës 1998-1999.
Kurtajn e mori në pyetje mbrojtësi i Krasniqit, avokati Aidan Ellis, i cili e pyeti për njohuritë dhe takimet e dëshmitarit me Jakup Krasniqin.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Ellis, dëshmitari tha se të gjithë e kanë ditur se Jakup Krasniqi ishte zëdhënës i UÇK-së dhe sipas njohurive të tij, ai e kishte vetëm këtë rol në UÇK.
Kur dëshmitarit iu prezantua një hartë me kërkesë të avokatit Ellis dhe pas pyetjes së tij për disa vende brenda Komunës së Kaçanikut dhe më gjerë, se nga kush kontrolloheshin, dëshmitari Kurtaj tha se kanë qenë nga të gjitha anët të rrethuar nga forcat okupatore serbe.
Avokati Ellis e pyeti dëshmitarin lidhur me dy dokumente që sipas tij dje iu prezantuan nga ZPS-ja, pa specifikuar për cilat dokumente.
Lidhur me këtë, dëshmitari tha se nuk i ka parë asnjëherë gjatë luftës këto dokumente.
Mbrojtja e Selimit pyet dëshmitarin rreth librit të tij “Lufta e UÇK-së në Nerodime”
Mbrojtësi i Rexhep Selimit, avokati Eric Tully, i cili e pyeti për atë se çka ka thënë dëshmitari Kurtaj në librin e tij “Lufta e UÇK-së në Nerodime”.
Avokati Tully e pyeti dëshmitarin lidhur me intervistat dhe informatat që ka përfshirë në libër dhe a ka mbajtur shënime.
Kurtaj tha se nuk ka mbajtur ndonjë shënim të veçantë.
Edhe një herë, dëshmitari theksoi se nuk ka parë e as nuk i ka thënë Shukri Buja që ai po zbaton urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për caktimin e për emërimin e Agim Bajramit, komandant të Njësisë së Kaçanikut, por që vetëm kam caktuar Bajamin komandat të Njësitit.
Lidhur me këtë citim të librit të tij, dëshmitari të mërkurën gjatë dëshmisë i është përgjigjur edhe prokurorit James Pace.
Me pas, avokati mbrojtës i Selimit njoftoi trupin gjykues se nuk ka pyetje tjera për ketë dëshmitar.
Kurtaj: LDK-në nuk e kemi konsideruar kundërshtare të UÇK-së
Kurtaj tha se Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) nuk e ka konsideruar kundërshtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe se nuk ka dijeni nëse dikush tjetër e konsideroi të tillë.
Këtë deklarim, Kurtaj e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të Hashim Thaçit, avokatit Luka Mishetiq, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Avokati Mishetiq e pyeti dëshmitarin rreth ndalimit eventual të ndonjë personi që pretendohej të ishte kundërshtar i UÇK-së, në Zonën e Nerodimes ku bën pjesë edhe Brigada 162, pjesë e së cilës ishte dëshmitari.
Lidhur me ndalimin eventual të ndonjë kolaboracionisti nga UÇK-ja në Zonën Operative të Nerodimes, biseda në mes të avokatit Mishetiq dhe dëshmitarit Kurtaj u zhvillua kështu:
Avokati: Kishit ndonjë udhëzim të UÇK-së se si të trajtohen kolaboracionistët?
Dëshmitari: Jo.
Avokati: Shukri Buja a ka dhënë ndonjë udhëzim se si të trajtohen kolaboracionistët?
Dëshmitari: Nuk kam pasur komunikim me Shukri Bujën, nëse e ka pasë, e ka pasur Komandanti, jo unë.
Avokati: Agim Bajrami dhe Qamil Ilazi ju ka dhënë ndonjë udhëzim së si të trajtohen kolaboracionistët?
Dëshmitari: Asnjëherë dhe nuk jemi marrë me këtë punë.
Më pas, mbrojtësi i Thaçit ka përfunduar pyetjet për ketë dëshmitar