Polici i trafikut, Tush Gjini ra në prangat e Inspektoratit Policor të Kosovës mbrëmjen e datës 23.02.2024 nën dyshimin se ka marrë ryshfet 1 mijë euro.
Ai dyshohet se me një person tjetër tentoi të krijojë disa kundërvajtje fiktive duke kërkuar para
KALLXO.com ka siguruar dosjen e policit të dyshuar me përshkrimin e veprave, të cilat dyshohet se i ka kryer.
Në dosje thuhet se Gjini, në cilësinë e personit zyrtar, më 09.02.2024 kishte plotësuar gjobat e trafikut të fotokopjuara më parë, në emër të një personi V.B., dhe më 21.02.2024 kishte plotësuar gjobën tjetër në emër të A.B.
Gjobat më pas i kishte fotografuar dhe dërguar me kërkesë te B.K., te ky i fundit në një rrjet social me qëllim që i njëjti të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme vlerën prej 200 eurove si dhe pjesë për servisimin e veturës së tij në vlerë prej 112 euro
Po ashtu, polici dyshohet se nga B.K., ka kërkuar edhe 1 mijë euro para duke i thënë se i ka kryer punë për t’iu hakmarrë personit V.B, të njëjtat gjoba nuk i kishte dorëzuar në Stacion Policor as nuk i kishte të plotësuara në librin e tiketave.
Me këto veprime polici dyshohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Tutje dosja tregon se i dyshuari B.K., dyshohet se kishte dhënë para në vlerë 200 euro dhe po ashtu i kishte blerë pjesë për servisimin e veturës në vlerë 112 euro zyrtarit policor, Tush Gjini, me qëllim që zyrtari policor të veprojë sipas kërkesave të B.K, për të gjobitur V.B dhe A.B.
B.K me dy personat e tjerë V.B., dhe A.B, sipas dosjes kishte probleme dhe dëshironte që t’iu hakmerrej
E për këtë kishte rënë në kontakt me policin dhe dyshohet se i kishte dhënë ryshfet policit