Pak ditë para ditës së inaugurimit, punimet në bazën ajrore të Kuçovës janë drejt përfundimit, për ta kthyer atë në një bazë taktike të NATO-s
Nga kjo bazë, ku për herë të parë publikohen pamje të përgatitjeve dhe punimeve, Komandanti I Forcës Ajrore, Gjeneral brigade Ferdinand Dimo shpjegon hapat që u ndoqën deri më tani.
Sipas Gjeneral brigade Ferdinand Dimo, ka qenë vendimmarrja e shtetit bshqiptar dhe e NATO-s në vitin 2018 për ta kthyer këtë bazë në një bazë taktike të Aleancës, ndërsa më 4 mars të këtij viti ajo është plotësisht efektive.
“Në vitin 2021 u parashikuan të kryheshin investimet për rivitalizimin e instalimeve të bazës së Kuçovës. Tashmë sot jemi në përfundim të implementimit të 3 projekteve të rëndësishme siç është sistemi i rrethimit dhe i sigurisë, po ashtu edhe i mbrojtjes perimetrale të bazës. Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë të investuara nga qeveria shqiptare”, sqaron Komandanti i Forcës Ajrore.
Gjeneral brigade Ferdinand Dimo sqaron funksionet që do të kryhen nga kjo bazë. “Jemi në përfundim të të gjitha punimeve që trupat e Forcës Ajrore të stërviten në këtë bazë. Por jo vetëm kaq, trupat e NATO-s dhe mjetet fluturuese të NATO-s mund të akomodohen, të stërviten dhe të fluturojnë duke u nisur nga baza ajrore e Kuçovës, që tashmë është një bazë ajrore taktike e NATO-s”
Baza taktike e NATO-s në Kuçovë do të shërbejë pozitivisht edhe në zhvillimin ekonomik të të gjithë qarkut të Beratit. “Ndërtimi i bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë ka një impakt të jashtëzakonshëm zhvillimor në komunitet dhe në të gjithë hapësirën e qarkut të Beratit”, shprehet Gjeneral brigade Ferdinand Dimo.
Baza Ajrore e Kuçovës do të inaugurohet më 4 mars, sipas planit të parashikuar. Në ceremoni do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe SHBA