BERZh-i dhe Qeveria e Kosovës nënshkruajnë marrëveshje në vlerë të 400 milionë eurove

by Nexhat

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Qeveria e Kosovës po forcojnë bashkëpunimin e tyre me qëllim që të ndihmojnë institucionet e qeverisë për të mbështetur përmirësimin e infrastrukturës, tranzicionin e ekonomisë së gjelbër, integrimin rajonal dhe sektorin privat.

Në njoftimin e lëshuar nga BERZh-i thuhet se vlera e këtyre projekteve të mundshme, të cilat janë në përputhje me strategjinë e BERZH-it për Kosovën, vlerësohet të arrijë rreth 400 milionë euro në periudhën deri në vitin 2027.

Presidentja e BERZH-it, Odile Renaud-Basso, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi, në margjinat e Samitit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor 2024, për të ofruar një kornizë për këtë bashkëpunim.

Si pjesë e marrëveshjes, BERZH dhe qeveria e Kosovës kanë identifikuar disa projekte prioritare në fushat me rëndësi kyçe, duke përfshirë infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, projektet e menaxhimit të ujërave të zeza dhe mbetjeve të ngurta, energjinë e rinovueshme dhe telekomunikacionin.

Presidenti i BERZH-it, Odile Renaud-Basso, tha: “Kosova përballet me nevoja të rëndësishme që përfshijnë sektorin publik dhe privat dhe ne synojmë t’i mbështesim ata në çdo hap të rrugës. Ne kemi objektiva ambicioz në shumë fusha që mund të përmbushen përmes një partneriteti të fortë dhe të suksesshëm me qeverinë. Kjo marrëveshje nënvizon synimin tonë për të përmbushur objektivat tona kryesore strategjike në Kosovë”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha: “Qeveria jonë është e përkushtuar për të mbyllur boshllëqet infrastrukturore në Kosovë dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik. Memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar sot tregon përkushtimin tonë për rritjen e investimeve në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë transportin, mjedisin dhe energjinë, të cilat do të çojnë në rritje të përshpejtuar ekonomike dhe një përmirësim të cilësisë së jetës për qytetarët tanë.

BERZH pati një vit të fortë në Kosovë në vitin 2023, duke investuar 81 milionë euro përmes 16 projekteve, me pothuajse gjysmën e financimit të drejtuar për projektet e gjelbra. Një pjesë e konsiderueshme e fondeve është zotuar për adresimin e nevojave të sektorit publik në Kosovë, me 20 milionë euro për ndërtimin e një impianti të ri për trajtimin e ujërave të zeza në qytetin e Ferizajt për parandalimin e ndotjes dhe uljen e emetimeve të gazeve serrë.

Deri më sot, BERZH ka investuar pothuajse 680 milionë euro në Kosovë përmes mbi 100 projekteve. 

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy