Daut Haradinaj në gjykatë: Kurti është veteran mashtrues, për të tjerët s’më kujtohet

by Nexhat

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Veteranët”, Daut Haradinaj, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, në cilësinë e dëshmitarit, e ka quajtur Kryeministrin Albin Kurti ‘veteran mashtrues’.

Haradinaj, duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit special Valdet Gashi, se meqenëse sipas përcaktimit ligjor përcaktohet se secili person i cili për shkak të veprimtarisë së tij si pjesëtar i UÇK-së është arrestuar gjatë periudhës ‘97-‘99 dhe është mbajtur në burg nga forcat e Serbisë, a ka pasur ndonjë kategori të tillë të personave që kanë aplikuar për veteranë luftëtarë, dëshmitari Haradinaj tha se përpos Kryeministrit Kurti që është veteran mashtrues, për të tjerët nuk më kujtohet”.

banner

Haradinaj ka deklaruar se te asnjë formular që është plotësuar nga kandidatët për veteranë pjesëtarë ose pjesëmarrës, anëtarët e komisionit qeveritar nuk kanë qenë të involvuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas tij, përgjegjësit kanë qenë në nivelet e dyta e të treta të komandantëve të kompanisë dhe skuadrës

“Unë personalisht (mbaj) përgjegjësinë e komandantit të brigadës. I kam edhe me statistika. Prej krejt listës së aplikantëve, 24 janë përjashtu që nuk kanë qenë pjesëmarrës në luftë, ndërsa të tjerët në mënyrë kolektive e kom konfirmu që kanë qenë ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Haradinaj,

Ai tha se prej luftëtarëve që kanë marrë pjesë më 24 mars 1998, të plagosur në Deçan janë 1 mijë e 264, kurse të vrarë 166 dëshmorë.

“Këtë e thash me qëllimin që me kuptu gjykata që shtabet lokale në nënzonat operative në rajonin e Dukagjinit kanë me qindra dëshmorë deri në krijimin e brigadave. Tash nëse ju nuk ju njihni veteranëve qysh e njohim statusin e dëshmorit ose invalidit të luftës, këta duhet me kuptu gjykata që pikërisht këtu është kontesti”, tha Haradinaj.

Tutje, i njëjti ka sqaruar se ai nuk kishte marrë pjesë në verifikim, por ka qenë i involvuar direkt dhe se mban përgjegjësi për të gjitha nivelet, prej komandantit të brigadës deri te ushtari i fundit se si ka shkuar procedura.

“Asnjë formular nuk është pranu në komision nëse nuk e ka pas nënshkrimin e udhëheqësve të njësive, po flasim në nivelin lokal, që i bie komandant të shtabeve lokale, komandant skuadre, shef logjistike, shef i policisë ushtarake apo secili në sektorin e vet e ka marrë përgjegjësinë për atë që i takon. Që i bjen që mban përgjegjësi secili për atë që e ka shkru e që e heq përgjegjësinë nga komisioni qeveritar”, ka thënë Haradinaj.

Ai tha se, meqenëse ka qenë një proces voluminoz, ka mundur të ketë lëshime apo shpërdorime në raste të kufizimeve të individëve.

“Por për këtë situatë, kemi njësi lokale të cilat merren me shpërdorimin e caktuar dhe qëndrimi im ka qenë që institucionet të bëjnë punën e vet, aty ku u bë shpërdorimi në nivele më të ulta, por jo te komisionet qeveritare”, tha Haradinaj.

Tutje, ai tha se jo vetëm Agim Çeku, por asnjë kryetar apo anëtar i komisionit nuk ka mundur të ndërhyjë në nivel të udhëheqësve lokalë.

Haradinaj tha se nuk është e vërtetë që ka nënshkruar ndonjë formular, por se ka qenë i inovluar indirekt prej ditës së parë derisa ka përfunduar procesi.

Ai tha se komandanti i brigadës e ka organizuar komplet funksionimin e strukturave për aplikim nga aplikantët, dhe se gjithçka në këtë drejtim është përgjegjësi e tij personale si komandat i zonës, i Brigadës 131, apo më saktësisht i rajonit të Deçanit.

Tutje, Haradinaj tha se në radhët e UÇK-së kishte të angazhuar edhe dhjetëra të mitur të cilët shërbenin në logjistikë, në mirëmbajtjen e objekteve apo në kuzhinë. Ai tha se njëri nga ata ka qenë ai vetë.

“Unë personalisht jam një prej veteranëve që kam qenë nën moshën 18-vjeçare aktiv në luftë”, tha ai.

Seanca është duke vazhduar në sesionin e pasdites me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.

Daut Haradinaj pritet të fillojë dëshminë në rastin “Veteranët”

Prishtinë- Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Veteranët”, pritet të fillojë dëshminë Daut Haradinaj, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Në këtë rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në seancën e fundit për këtë rast, më 21 dhjetor 2023 ka dëshmuar ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku.

Ndryshe, seanca e 16 dhjetorit 2022 kishte dështuar në mungesë të të akuzuarve Fazliu dhe Elezaj, ndërsa ajo e 15 marsit 2023, ishte anuluar me kërkesë të prokurorit Valdet Gashi.

Seanca e 15 qershorit 2023, kishte dështuar për shkak se të akuzuarit Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Xhavit Jashari, nuk kishin angazhuar avokatë. Kurse, seanca e 18 shtatorit 2023 është anuluar për shkak se prokurori Valdet Gashi ishte në udhëtim zyrtar. Ndërsa, ajo e 28 shtatorit 2023 dështoi në mungesë të të akuzuarit Shukri Buja.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2021 të akuzuarit i kishte liruar nga akuza. Por, Gjykata e Apelit më 26 prill 2022 e ka kthyer në rigjykim këtë rast.

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.

Për këto akuza, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues edhe më 19 janar 2021.

Aktgjykimi në këtë rast ishte përpiluar tre muaj më vonë, ku PSRK brenda 15 ditësh kishte pasur mundësi të ushtrojë ankesë ndaj këtij aktgjykimi.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën për këtë rast, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gusht të vitit 2019.

Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, të urdhërojë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

Kurse pas seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 janar 2021, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve në këtë rast.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë, janë përfshirë 12 persona, të cilët ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prin Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar gjykatës, që ta lëshonte masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara ishte vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy