Në selinë e BERZH-it në Londër po mbahet Samiti i Investimeve në Ballkanin Perëndimor 2024. Në këtë aktivitet marrin pjesë të gjashtë krerët e qeverive nga rajoni, të cilët kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Qëllimi i Samitit është të nxjerrë në pah mundësitë e mundshme për investime dhe biznes në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të promovojë projekte rajonale dhe ndërkufitare.
Në një lidhje online në këtë samit mori pjesë dhe kreu i qeverisë sonë Edi Rama, ku u pyet se përse investitorët e huaj duhet të investojnë në Shqipëri. Ai theksoi se Shqipëria vitin e kaluar priti trefishin e popullsisë sonë me turistë, duke thënë se kjo është një nga arsyet që investitorët duhet të bëjnë investime në vendin tonë.
“Unë jam veteran i këtyre formateve sepse kam qenë i pranishëm që kur ka lindur ky format. Në 8 vite kanë ndryshuar shumë gjëra, përveç sasisë dhe ngjyrës së flokëve të mi. Rajoni po shkon mirë , bota ka ndryshuar shumë, Shqipëria ka ndryshuar shumë. Nga një vend i pasigurt, në një vend që vitin e kaluar ka arritur një shifër prej 10 milion turistësh më shumë se tre fishi i popullatës që kemi. Jemi në nivelet e rajonit dhe borxhi jonë publik ka pësuar rënie historike nën 60% në fund të vitit. Një përgjigje e thjeshtë se përse investitorët duhet të investojnë në Shqipëri është që duhet sepse nëse se bëjnë ata e bën tjetër kush”- tha ai.