Presidenti Joe Biden tha se shpreson që do të ketë një armëpushim në konfliktin Izrael-Hamas deri të hënën e ardhshme. Marrëveshja do të ndalte luftimet dhe do të mundësonte lirimin e personave që ende mbahen peng.
I pyetur se kur shpreson se mund të finalizohet një marrëveshje e tillë, Presidenti Biden tha: “Shpresoj në fillim të fundjavës. Në fund të fundjavës. Këshilltari im i sigurisë kombëtare më thotë se i janë afruar. Janë pranë. Nuk kanë përfunduar ende. Shpresa ime është që deri të hënën që vjen do të kemi një armëpushim”.
Presidenti Biden i bëri komentet nga Nju Jorku pas pjesëmarrjes në një emision të kanalit NBC.
Më herët të hënën, CNN raportoi se Hamasi ka hequr dorë nga disa kërkesa kyçe në negociatat për një marrëveshje pengjesh dhe pauzë në luftimet në Gaza pas akuzave izraelite, duke i sjellë palët negociuese më afër një marrëveshjeje fillestare që mund të ndalonte luftimet dhe të lironte pengjet izraelite.
Negociatat vazhdojnë për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, për të mundësuar lirimin e pengjeve që mbahen në Gazë nga grupi militant, në këmbim të lirimit nga Izraeli të qindra të burgosurve palestinezë. Propozimi për një pauzë gjashtëjavore në luftime do të mundësonte gjithashtu dërgimin e qindra kamionëve çdo ditë me ndihmat e domosdoshme për popullsinë e Gazës.
Negociatorët përballen me një afat jozyrtar, me fillimin e muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit rreth datës 10 mars, një periudhë që shpesh shoqërohet me tensione të rritura mes izraelitëve dhe palestinezëve.
Ndërkaq, Izraeli nuk ka arritur të zbatojë një urdhër të gjykatës më të lartë të OKB-së për të ofruar ndihma urgjente për popullsinë e dëshpëruar në Rripin e Gazës, tha të hënën organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Ëatch, një muaj pas vendimit historik në Hagë që urdhëroi Izraelin të ulë intensitetin e operacioneve ushtarake.
Në gati pesë muaj luftime, Izraeli tashmë po përgatit zgjerimin e operacionit tokësor në Rafah, qytetin më jugor të Gazës përgjatë kufirit me Egjiptin, ku janë strehuar rreth 1.4 milionë palestinezë.
Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha të hënën se ushtria i ka paraqitur kabinetit planin operacional për qytetin Rafah, si dhe planet për të evakuar civilët nga zonat e luftimeve. Nuk u dhanë detaje të mëtejshme.
Situata në Rafah ka krijuar shqetësim global. Aleatët e Izraelit kanë paralajmëruar se Izraeli duhet të mbrojë civilët në betejën kundër grupit militant Hamas.