Deda: Serbia nuk është ledhatuar pas Banjskës, por Kosova nuk ka ditë me kapitalizu

by Nexhat

Analisti politik, Ilir Deda, ka thënë se Serbia nuk është ledhatuar nga bashkësia ndërkombëtare nga rasti i Banjskës, por ka qenë Kosova ajo që s’ka ditur ta kapitalizojë atë moment.

Në Rubikon të Klan Kosova, Deda tha se Kosova, në vend që të kërkojë heqjen e sanksioneve ndaj saj, ka kërkuar që t’i vihen sanksione Serbisë.

banner

“Nuk është që është ledhatuar Serbia pas Banjskës, por Kosova s’ka ditur ta kapitalizojë. Kosova ka shpenzuar energji duke kërkuar që t’i vihen sanksione Serbisë, në vend që të kërkojë që t’i hiqen ato Kosovës. Po s’u hoqën në mars sanksionet, nuk do të hiqen gjatë gjithë vitit të ardhshëm. Do ta kemi planin për zhvillim, por Kosova s’do të marrë para prej atij fondi. 350 milionë i kemi të bllokuara nga viti i kaluar, kush e di se sa edhe këtë vit. Prej planit për rritje, Kosovës i përkasin 945 milionë euro në tre vjetët e ardhshme. Janë shumë para për t’i gjuajtur me lehtësi. Nuk ka më dëgjim për kërkesat e Kosovës nga shtetet perëndimore sepse është humbur kredibiliteti i Kosovës. Janë zgjedhjet në veri – kur do të mbahen ato? Ka qenë vetë Kosova që ka kërkuar që të shkohet në atë mënyrë deri te zgjedhjet e reja, përmes peticionit. Pse po e humbim tërë shkurtin, kur ato nënshkrime u mblodhën për 2-3 ditë? Qytetarët serbë të Kosovës e kanë kryer punën e tyre, tash duhet KQZ-ja, e cila po thotë se jemi duke i verifikuar nënshkrimet”, tha Deda, teksa shtoi se është shumë kohë e gjatë për t’i verifikuar aq pak nënshkrime, dhe tha se Qeveria duhet të kërkojë përshpejtim të këtij procesi,

Ai tha po ashtu se qeveria duhet të dalë me planin e vet 10-pikësh për çështjen e dinarit.

“Është momenti i fundit që qeveria të dalë me një plan afirmativ për popullatën serbe, sidomos në dritë të vendimit që u diskutua sot në Bruksel, sepse kjo ka të bëjë me të ardhurat e njerëzve, dhe s’ka njeri normal që i gëzohet pse dikush s’e merr rogën, pensionin e ndihmën sociale, dhe po më duket është paralajmëruar javën e kaluar se 10 pikëshit të BQK-së do t’i bashkëngjitet edhe një 10 pikësh i qeverisë. Ajo që dëgjuam sot nga Lajçaku është se ka shumë pyetje politike që duhet të zgjidhjen që të mund të ndodhë transferi i parave nga Serbia në Kosovë. Kështu që, ta shohim këtë planin 10 pikësh të qeverisë”, u shpreh Ilir Deda.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy