Deputetja Duda Balje ka dalë me një postim pas reagimeve në rrjete sociale lidhur me takimin që ka zhvilluar me kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim Tërnava.
Për projektligjet që u përmenden në njoftimin e BIK, ai për Fertilizim të Asistuar Mjekësor dhe ai që mundëson martesat e së njëjtës gjini, Balje ka thënë se vetëm e ka deklaruar qëndrimin e saj për to, por se këto ligje s’kanë qenë temë e vizitës,
Balje ka thënë se nuk ka shkuar në mbledhje në emër të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, as si Kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe as me anëtarët e këtij komisioni dhe se nuk është politikanja e parë që e ka vizituar atë institucion.
“Çdo vit, disa ditë para muajit të shenjtë të Ramazanit, vizitat e këtij lloji janë normale dhe të rregullta. Unë nuk kam shkuar në mbledhje në emër të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, as si Kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe as me anëtarët e këtij komisioni dhe as nuk jam politikani i parë që e kam vizituar atë institucion
Unë nuk mund të ndikoj në mendimin e myftiut dhe të bashkësisë islame për ligjet aktuale, as nuk mund ta formoj apo ndryshoj atë, as nuk jam përgjegjës për të, ashtu siç nuk mund të ndikojnë ata në timin”, ka shkruar Balje
Ndryshe, ish-deputetja Melihate Tërmkolli ka kërkuar arrestimin e Baljes. Sipas Tërmkollit, kjo është shkelje flagrante e Kushtetutës dhe se deputetët që kanë marrë pjesë në këtë takim duhet të arrestohen dhe të përgjigjen para organeve të drejtësisë.
“Duda Balje si kryetare e Komisionit të Kuvendit të Kosovës për të drejtat e njeriut dhe anëtarë tjerë të komisionit paskan mbajtë dje takim me kryetarin e BIK-ut, Naim Tërnavën për të trajtuar projektligje të Kuvendit. Kjo është shkelje flagrante e Kushtetutës e cila garanton karakterin laik të shtetit të Kosovës. Sot, këta deputetë do të duhej të arrestoheshin dhe të përgjigjen para organeve të drejtësisë! A ka shtet këtu a çka dreqin po ndodhë me këtë vend?!”, ka shkruar Tërmkolli.
Ndryshe, për këtë takim ka njoftuar Bashkësia Islame e Kosovës, në faqen zyrtare. Në njoftimin e BIK thuhet se në këtë takim “u diskutua për shqetësimin e Myftiut Tërnava dhe të institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës, rreth ecurisë së miratimit të disa projektligjeve, e në veçanti miratimi i projektligjit për fertilizimin e asistuar, i cili kontribuon direkt në prishjen e institucionit të familjes”.
“Myftiu nuk la pa përmendur edhe takimin e përbashkët që kanë pasur edhe me prijësit e institucioneve të tjera fetare në vend, me të cilët edhe ka nënshkruar deklaratën e përbashkët për kundërshtimin e projektligjit që lejon martesat e së njëjtës gjini. Nga ana e saj, znj. Balje, falënderoi Myftiun Tërnava për pritjen dhe për angazhimin e tij për një mirëqenie të të gjithëve”, thuhet tutje në njoftim