Më 25 shkurt, njësiti nga Batalioni i Forcave Rezervë Operacionale të misionit të KFOR-it, ka njoftuar se nuk do të jenë më të pranishëm në ndërtesën e komunës së Zveçanit.
Ky vendim, sipas KFOR-it erdhi si rezultat i gjendjes së stabilizuar në këtë komunë.
Pas veprimeve të KFOR-it, kryetari i komunës së Zubin Potokut s’i ka përjashtuar tensionet në atë pjesë veriore.
Izmir Zeqiri për Front Online ka deklaruar se skandalet nga bandat në Serbi s’kanë përfunduar.
“Situata aktualisht është e qetë, por nuk përjashtohen mundësitë prej një pjese të mbeturinave të atyre bandave që mundën herë pas here me bërë skandale të ndryshme”, tregon Zeqiri.
Situata në komunën e Zubin Potokut është më stabile se ajo e Zveçanit, thotë Zeqiri.
Ai thotë se Policia e Kosovës mjafton ta kontrolloj pjesën veriore pasi s’ka tensione.
“Vendimi i KFOR-it ka qenë pasi ata e kanë vlerësuar që nuk është e nevojshëm të rrinë më aty . Në komunën tonë ndonjë patrulla e EULEX-it sillet, ndonjëherë por nuk qëndrojnë siç kanë qëndruar në fillim, pasi kanë ndryshuar specifikat pasi Zveçani ka tjera situata. Situata vazhdon të jetë e njëjta edhe para se mu largu edhe mbasi janë larguar trupat e KFOR-it, e kontrollueshme me organet e rendit”, u shpreh Zeqiri.
KFOR-i ka thënë se njësitet e saja do të kryejnë patrullime të rregullat nëpër Zveçan.
“Situata në komunën e Zveçanit është stabilizuar. Si rezultat, njësitet nga Batalioni i Forcave Rezervë Operacionale të misionit KFOR më nuk do të jenë prezentë në ndërtesën e Komunës. Por, do të mbesin në zonë dhe do të kryejnë patrullime të rregullta për të siguruar një ambient të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në komunën e Zveçanit. KFOR-i është reaguesi i tretë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit EULEX, me të cilin punojmë në koordinim të ngushtë”, thuhet nga KFOR.