Zyrtarët e Transnistrias, rajonit separatist të mbështetur nga Rusia në Moldavi, i bënë thirrje sot Moskës për mbështetje, mes tensioneve në rritje me qeverinë pro-perëndimore të Moldavisë.
Moldavia, një vend kandidat për në Bashkimin Evropian, vendosi më 1 janar tarifa doganore për importet dhe eksportet nga Transnistria. Transnistria është një rajon në kufi me Ukrainën, që nuk është njohur nga asnjë vend i OKB-së, përfshirë Rusinë
Sot, anëtarët e Kongresit të Transnistrias shfrytëzuan një takim të rallë në kryeqytetin Tiraspol, për t’i kërkuar parlamentit rus “të marrë masa për të mbrojtur Transnistrian nga trysnia në rritje e Moldavisë, meqë 220 mijë shtetas rusë jetojnë në Transnistria”.
Në vitin 1990, pas një lufte të shkurtër, forcat pro-ruse të Transnistrias shpallën shtetin e tyre separatist. Rusia vazhdon të mbajë edhe sot rreth 1500 trupa atje, që i quan paqeruajtës, për të ruajtur armët dhe municionet e shumta të epokës sovjetike në këtë rajon
Moldavia po punon për t’ia përshtatur ligjet e vendit atyre të BE-së, në kuadër të anëtarësimit. Tarifat e reja doganore kanë zemëruar zyrtarët në Transnistria, të cilët thonë se ato dëmtojnë banorët dhe bizneset.
Zyrtarët i kanë bërë thirrje edhe Parlamentit Evropian dhe Kombeve të Bashkuarta që të mos lejojnë Moldavinë “të shtojë trysninë” ndaj rajonit, sipas tyre.
Javën e kaluar një ligjvenës i opozitës në Tiraspol tha se takimi i sotëm në Transnistria mund të përdorej për të kërkuar bashkimin me Rusinë. Një zëdhpënës i qeverisë në Moldavi tha se takimi ishte një “aktivitet propogandistik” duke shtuar se nuk ka rrezik për acarim të situatës.
Në vitin 2006 gjatë një referendumi në Transnistria mbi 95% e votuesve mbështetën alternativën e bashkimit me Rusinë, por referendumi nuk është njohur nga vende të tjera. Departamenti i Shtetit e quajti referendumin në atë kohë një veprim provokues që nuk mund të merrej seriozisht.
Moldavia fitoi statusin e vendit kandidat në BE në vitin 2022. Në dhjetor të vitit të kaluar, Brukseli tha se do të fillonte negociatat e anëtarsimit, së bashku me Ukrainën fqinje.
Transnistria ka një popullsi prej 470 mijë banorësh. Shteti i vetëshpallur njihet me emrin Republika Moldave e Pridnestrovias dhe ka monedhën dhe flamurin e vet.
Që pas agresionit të Rusiusë ndaj Ukrainës në shkurt të 2002, udhëheqësit pro-perëndimorë të Moldavisë e kanë akuzuar vazhdimisht Mokën për fushata të njëpasnjëshme për të destabilizuar vendin, i cili ka qënë një prej republikave sovjetike deri në vitin 1991 kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë. /VOA