Në Kosovë shërbeu 20 vjet për misionin e NATO-së, KFOR. Fillimisht si komandant i batalionit Italian në Gjakovë, pastaj edhe si zëdhënës në Prishtinë.
Vincenzo Grasso, tashmë ushtarak i pensionuar tha se sulmi në Banjskë të Zvecanit më 24 shtator ishte me përmasa të rrezikshme.
Grasso fajëson diplomacinë ndërkombëtare për mos reagim të duhur dhe me kohë ndaj Serbisë, për agresionin ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku dhe u plagos kolegu i tij.
Ish-ushtaraku italian në një intervistë për Tëvë1, thotë se BE-ja duhet ta dënojë fuqishëm sulmin të cilin e organizoi ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojiciq.
“Nga çfarë kam parë sa isha në Kosovë, dhe nga njohuritë për situatën e përgjithshme. Isha shumë i habitur, ajo çfarë ndodhi ishte e tmerrshme. Një sulm i tillë i armatosur që fatkeqësisht pati viktimë një polic, dhe gjërat pasuese gjatë reagimit të policisë Isha i habitur nga mungesa e reagimit të komunitetit ndërkombëtar. Ne kemi parë shumë… si të them, dënim jo aq të fuqishëm të aktit nga BE-ja, nga diplomacia ndërkombëtare në përgjithësi. Kemi parë disa fjali, deklarata shumë të shkurtra, gjëra shumë të përgjithshme, dhe asnjëherë dënim të fuqishëm dhe direkt ndaj përgjegjësve për këtë sulm”, ka thënë ai.
Sipas Grassos, koordinimi midis KFOR-it Italian dhe Policisë po vazhdon. Mirëpo, pati kritika për misionin paqeruajtës në Kosovë, meqë ky mision, në disa raste u vonua në dhënien e informacioneve gjatë situatave të tensionuara në katër komunat veriore.
“Ka pasur episode kur kishte mungesë informimi në kohë të KFOR-it para disa intervenimeve ka bërë pak paqartësi por në përgjithësi do të thosha që koordinimi është shumë i mirë. Por, për shkak të këtij sulmi të dhunshëm në muajin shtator, mos të harrojmë dhe dhunën ndaj trupave të KFOR-it që ishte në qershor, a maj dhe këtyre gjendjeve kritike, KFOR-i ishte detyruar të rriste numrin, dhe kjo nuk është shenjë e mirë për paqen dhe stabilitetin në rajon, shprehet Grasso.
Ish- ushtaraku i misionit të NATO-së në Kosovë, mendon se vizita e presidentit të Ukrainës në Tiranë, Volodimir Zelenski, nuk ndërlidhet me situatën mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk mendoj… presidenti Zelensky ka shumë probleme serioze para tij për momentin, vendi i tij është pushtuar, dhe ai nuk është… le të themi nuk dëshiron të tensionojë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Serbisë. Ai është në Tiranë sepse temë e takimit është situata në Ukrainë, dhe nuk shoh ndërlidhje direkte ndërmjet presidentit Zelensky dhe marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë”, vlerëson ai.
Vincenzo Grasso shërbeu në Kosovë nga viti 2002 deri në korrik të vitit 2019.