Gjykata Themelore në Gjakovë ka njoftuar se është shpallur aktgjykim dënues kundër Isuf Zogajt, që akuzohej për vrasjen e Avni Bashës më 20 shtator të vitit të kaluar.
Zogaj është dënuar me 19 vjet burgim për dy veprat penale “Vrasje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Atij do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 20 shtator 2023.
I pandehuri I.Z., akuzohet se “Me datë 20 shtator 2023, rreth orës 07:15 minuta, në fshatin Bellanicë, Komuna Malishevës, në parkingun e marketit “M…”, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin A. B. nga fshati Vraniq, Komuna Suharekës, në atë mënyrë që me të arritur në vendin e cekur më lartë, tani i ndjeri me veturën Fiat, ngjyrë e bardhë, i cili ishte duke shkuar në punë, ndërsa i pandehuri ndodhej në lokal së bashku me dëshmitarin B. E., dhe me të vërejtur se kishte arritur në parking tani i ndjeri A.B., i pandehuri ngritët nga tavolina, del jashtë dhe afrohet tek automjeti i të ndjerit, hap derën e automjetit dhe menjëherë me armën e llojit SIG SAUER- P320, shtënë pesë herë në kokë të tani të ndjerit, viktima bie përtokë, i pandehuri vazhdon duke shtënë edhe dy here prapë në drejtim të trupit të tij, përderisa trupi ishte i shtrirë për tokë, e ku nga plagët e mara i ndjeri ndërro jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa i pandehuri largohet me veturën e tij nga vendi i ngjarjes dhe lajmërohet në polici.”
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.