Një delegacion i KFOR-it Italian nga Komanda Rajonale Perëndim e KFOR-it , me në krye komandantin, Kolonel Francesco Ferrara, kanë vizituar Komunën e Dragashit, ku janë pritur nga kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini, së bashku me drejtoreshën e DKRS-së, znj.Liridona Misinaj dhe zyrtarë të tjerë komunalë.
Këtë e bëri te ditur vete komuna e Dragashit me një postim në rrjetet sociale, ku ndër te tjera njoftoi se me këtë rast është bërë dhurimi i disa kompjuterëve dhe një printeri multifunksional laserik me ngjyra për bibliotekat lokale në Komunën e Dragashit, në kuadër të projektit civilo-ushtarak të KFOR-it për të mbështetur komunitetet tona.
Pas pranim-dorëzimit të këtyre pajisjeve, Kryetari Xheladini ndau per mysafirët e KFOR-it Italian mirënjohje për kontributin dhe mbështetjen e ofruar për qytetarët dhe institucionet lokale të Komunës së Dragashit, përmes donacioneve të ndryshme në arsim, shëndetësi, shërbim të zjarrfikësve etj.
Pas ceremonisë, Kryetari Xheladini dhe Kolonel Ferrara me ekipin e tij vizituan për pak çaste edhe punimet e mbledhjes së rregullt të Kuvendit të Komunës së Dragashit.
Gjatë vizitës në sallën e Kuvendit, Kryetari Xheladini i prezantoi Komandantit Ferrara një historik të shkurtër të Komunës së Dragashit, duke e falënderuar për bashkëpunimin dhe mbështetjen e parezervë për qytetarët.
Mirënjohje për vizitën Kolonelit Francesco Ferrara i shprehu edhe kryesuesja e Kuvendit, znj.Arijeta Skeraj, e cila e informoi shkurtimisht edhe për punët e legjislativit lokal të cilin e udhëheq.
Në fund të vizitës, Kryetari Xheladini priti Kolonelin Ferrara në zyrën e tij, me ç’rast pranoi edhe një dhuratë simbolike nga ana e tij.